Sondazh

Dendias në Tiranë, rihapet çështja e detit, mendoni do ketë ndikim në integrimin europian?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Investimet e rëndësishme rrisin standardin”/ Ibrahimaj për Zvërnecin: Zhvillimi nuk do të shkatërrojë natyrën

schedule20:42 - 4 Qershor, 2026

schedule 20:42 - 4 Qershor, 2026

Ministrja Delina Ibrahimaj ka mbrojtur idenë e zhvillimit të investimeve në zonën e Zvërnec, duke theksuar se standardet ndërkombëtare dhe kriteret mjedisore do të garantojnë mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit.

Në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News, Ibrahimaj deklaroi se vetë interesi i investitorëve ndërkombëtarë lidhet me vlerat natyrore të zonës dhe jo me shkatërrimin e tyre.

“Natyra është arsyeja përse vjen zhvillimi. Brandet ndërkombëtare nuk do ta shkatërrojnë atë. Standardet garantojnë që investimet janë të ndërlidhura me natyrën dhe nuk e dëmtojnë atë”, u shpreh ministrja.



Ajo shtoi se qeveria ka treguar edhe më herët se nuk pranon projekte që bien ndesh me mbrojtjen e mjedisit, duke kujtuar se një projekt i mëparshëm është rrëzuar pikërisht për shkak se nuk përputhej me kriteret e kërkuara.

Sipas Ibrahimajt, investimet e huaja me standarde të larta ndikojnë pozitivisht në zhvillimin ekonomik dhe rrisin nivelin e cilësisë në sektorë të ndryshëm, duke nisur nga turizmi e deri te prodhimi ushqimor.

“Vullneti ynë është që laguna të mos preket. Jemi të bindur që ky investim do të sillte edhe shumë të tjerë dhe do t’i jepte gjithë zonës një ndikim shumë pozitiv në disa drejtime”, deklaroi ajo.

Duke folur për shqetësimet e ngritura mbi ndikimin tek fauna e zonës, përfshirë pelikanin kaçurrel, ministrja theksoi se ende nuk ekziston një projekt konkret dhe se çdo hap i mëtejshëm do të paraprihet nga studime të detajuara mjedisore.

“Nuk mund të them se çfarë supozohet, sepse nuk kemi ende një projekt, por do të bëhen studime që pelikani të mos preket”, përfundoi Ibrahimaj.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!