Një operacion për kapjen e një personi në kërkim në Maliq është kthyer në tragjedi për Policinë e Shtetit. Efektivi i Forcës së Posaçme “Shqiponja”, Enea Mekolli, 34 vjeç, mbeti i vrarë, ndërsa kolegu i tij, Edison Adri, 36 vjeç, u plagos gjatë një shkëmbimi zjarri në fshatin Lozhan.
Ngjarja ndodhi në një stan ku fshihej 43-vjeçari Violand Braçellari, person i shpallur në kërkim dhe i dënuar me 10 vite burg për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Gazetarja dhe autorja e emisionit “Gjërat Tona” në ABC News, Etleva Delia, u shpreh se operacioni i Policisë së Korçës u ndërmor pasi kishin siguruar në rrugë operative informacionin e saktë për vendndodhjen e të kërkuarit Braçellari.
Ajo theksoi në “Tirana Live” se duke njohur profilin e autorit, i cili ka qenë edhe e ish-ushtarak, Policia duhet të ishte treguar e kujdesshme dhe ndërhyrja për kapjen e tij duhej bërë nga strukturat RENEA.
“Kishte një informacion i siguruar në mënyrë operative dhe më pas kanë shkuar efektivët atje. Hita tha se ka pasur mbi 40 forca policore në operacion. Policia ka struktura të veçanta për ndërhyrje të tilla.
Ka një të shkuar si ish-ushtarak, dihet se ka një përgatitje të konsoliduar në lidhje me përdorimin e armës dhe duhet të merreshin masat për background e tij kriminal.
Ai i kishte shpëtuar disa herë operacioneve të RENEA. Për mua, nuk duhet të kishin shkuar ato forca në këtë operacion, ne kemi struktura të posaçme për këto operacione”, tha ajo/abcnews.al


