Nga Frrok Çupi
Edhe kur bie dëshmor një ‘luftëtar i demokracisë’, prapë ndodhka që të kemi rënë në kurthin e Demokracisë…
Dje ra në krye të detyrës oficeri i fundit i Policisë, Enea Mekolli. Ra në një fshat të Maliqit. Një zonë e thellë ku autori i vrasjes kishte ngritur një ‘mburojë’ më të ashpër se vetë natyra. Më parë kishte bërë krime. Policia e kërkonte ta sillte në qeli, sipas ligjit. Ai ishte rrethuar nga qen dhe nga armë. Ndodhej edhe në prani të krijesës më të dashur në botë, nënës.
Qëlloi me egërsi dhe vrau Enean, bir i një nëne tjetër; dhe plagosi një koleg të tij. Armën e kishte mësuar aq në perfeksion, po në ushtrinë e shtetit, dhe qëlloi mbi ushtrinë policore të shtetit. Të dy palët, një herë e një ditë, kishin qenë ‘luftëtarë të demokracisë’. Autori i krimit mbronte ‘lirinë e tij demokratike’, ndërsa viktima mbronte edhe ky lirinë, por një liri shumë më të gjerë.
Kaq?
Jo vetëm, ‘kaq’. Mbërrijmë te çështja pse kaq e vështirë të dallohet vija mes ‘demokracisë’ që mbron individin vrasës fshehur mes qensh dhe, mes të drejtës së shumicës për të bërë jetën normale? Jam dëshmitar se si sot shumë njerëz që shprehën dhimbje për Enean, pas kësaj shprehën edhe simpatinë se si ‘ai qitës i mrekullueshëm jetonte në një stan … Si stërvitej e bënte qitje me armë…”.
Asnjërën prej këtyre ndjesive nuk mund t’i ndash qartazi para atyre njerëzve që i kanë të miksuara ndjesitë. A mund t’i ndash me bisturi ndjesitë që kanë disa njerëz mbi ngjarjen e disa ditëve të shkuara në Zvërnec të Vlorës?
Nuk mundet. Edhe rreth ngjarjes së bujshme dëgjova shumë njerëz të thonë se ‘mirë, mo, mirë, projekti është gjigand, do të na sjellë zhvillim shumë të madh…, por pse nuk pati transparencë!?’. Ka edhe të tjerë që nuk kanë ç’e duan transparencën. Të tjerë që nuk u intereson as Zvërneci, as Shqipëria.
Shumë e vështirë për të dalluar qartazi vijat e demokracisë dhe për të marrë vendime demokratike.
Në të gjitha rastet vetë demokracia duket se ngre kurthe. A nuk është kurth tragjik ndodhia e Maliqit kur Enea Mekolli merr rrugën me armë në dorë për në skutat e fshehta të stanit të Lozhanit ku do të përplaset me një njeri që e kërkon ligji demokratik? Ky, me tetë kolegë, do të vërë në vend vullnetin demokratik. Edhe njeriu që fshihet në stan, dhe që quhet autor krimi, edhe ky mban armë, stërvit qen, fshihet larg dhe qëllon me snajper…, po për arsye ‘demokratike’. Madje edhe ai është stërvitur si ushtarak në institucionet demokratike të ‘shtetit demokratik’.
Kurthi që ngre demokracia në këtë rast, është i qartë: Mes individëve apo grup- individëve të vetëvendosur për interesat e tyre… Dhe interesave kolektive, madje edhe të shumicës. Ky është kurthi.
Si në rastin e fundit të Zvërnecit. Edhe atje një akt force prej polici shërbeu si sebep për të bërë luftë kundër demokracisë. Ata që nisën luftën, fillimisht thanë se po mbronin ‘minoritarin grek’. Pastaj thanë se po mbrojnë pelikanët. Pastaj thanë se duan transparencë. Edhe këta thanë se ‘janë për demokraci’, megjithëse i harruan si njeriun e dhunuar ‘greko- shqiptar’, ashtu edhe pelikanët e transparencën. U dyndën për në Tiranë. U hynë bareve të Tiranës, ngritën njerëzit nga tavolinat, ulëritën ‘në shesh, jo në kafe’, bënë gjeste të rënda. Në shesh kërkuan të shporrin Amerikën; ky ishte qëllimi.
Deshën Palestinë para Izraelit dhe Amerikës. Punë të thella. Kërkojnë të mos inplementohen projekte me miliarda euro. Kërkohet Shqipëri e varfër dhe vasale. Në shesh përplasen sa të majtët ekstremë aq edhe të nxitur nga shtete të huaja jo dashamirëse ndaj vendit tonë. Këta thonë se edhe Lëvizja terroriste Antifa është demokraci, prandaj i përkasin.
Demokracia vetë zihet në kurth: A është ky vullneti i popullit?
Institucionet demokratike janë të sulmuara nga manipulimi i individëve të vet- interesuar, nga ku prodhohen përgjigje pa sens. Vullnetin e popullit, edhe si një nocion demokracie, e banalizojnë. As vullneti i popullit, as demokracia e gjerë, nuk mund të marrin vendime. Prodhohet kaosi dhe varfëria.
Kurthi ndodhet në faktin se shteti nuk është si individi. Individi ka të drejtë të ngrejë stane në male, të mbajnë qen e armë, të qëllojnë ‘për demokraci’. Njeriu i shtetit u vra dje. Por disa njerëz i dëgjova të lavdërojnë vrasësin.


