Policia e Korçës ka dhënë informacion lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Lozhan të Maliqit, ku efektivi i “Shqiponjave”, 34-vjeçari Enea Mekolli mbeti i vrarë, ndërsa efektivi tjetër 36-vjeçar Edison Adri mbeti i plagosur, gjatë operacionit për kapjen e të shpallurit në kërkim, Violand Braçellari.
Sipas unformave blu, rreth orës 07:30, efektivët kanë rrethuar stanin ku dyshohej se fshihej 43-vjeçari Braçellari, i dënuar në vitin 2017 me 9 vjet, 11 muaj e 7 ditë burgim nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, ndërsa në vitin 2011 ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
Efektivët i kanë bërë thirrje të kërkuarit të dilte dhe të dorëzohej, por ai nuk i është bindur thirrjes së Policisë dhe ka hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë,
Për të neutralizuar sulmin e të kërkuarit, shërbimet e Policisë i janë kundërpërgjigjur me armë zjarri dhe, si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i plagosur edhe i kërkuari, shtetasi Violand Braçellari, i cili më pas është arrestuar.
Në drejtim të vendit të ngjarjes është nisur helikopteri i shëndetësisë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë dhe në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore, po vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje shumë të rëndë, ku humbi jetën në krye të detyrës një punonjës Policie dhe mbeti i plagosur një tjetër punonjës i Policisë./abcnews.al


