– Presidenti francez, Emmanuel Macron vlerësoi sot fillimin e një “epoke të re” për Hungarinë dhe Evropën, gjatë pritjes në Pallatin Elysee, të kryeministrit të ri hungarez, Peter Magyar.
Macron theksoi se zgjedhja e Magyar dëshmon përkushtimin e hungarezëve ndaj vlerave të Bashkimit Evropian.
Magyar fitoi zgjedhjet parlamentare të prillit ndaj nacionalistit pro-rus Viktor Orban, i cili kishte bllokuar disa vendime të rëndësishme të BE-së, përfshirë mbështetjen për Ukrainën.
Kryeministri hungarez propozoi forcimin e bashkëpunimit mes Francës, Gjermanisë dhe vendeve të Grupit të Visegradit (Polonia, Hungaria, Sllovakia dhe Çekia), duke kërkuar një rol më aktiv të Parisit dhe Berlinit në këtë format.
Dy liderët shprehën gjithashtu synimin për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe dhe për të nënshkruar një partneritet të ri strategjik deri në fund të vitit, me fokus në mbrojtjen, energjinë bërthamore, industrinë, bujqësinë dhe luftën kundër dezinformimit.
Magyar u zotua të forcojë shtetin e së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.
Më herët, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen njoftoi zhbllokimin e fondeve për Hungarinë, me vlerë mbi 16 miliardë euro, të kushtëzuara me zbatimin e reformave.


