Analisti Roland Lami, në një intervistë për emisionin “Tirana Live” në ABC News, u shpreh se Shqipëria ka bërë përparime të rëndësishme në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Sipas Lamit, vendi ka ndërtuar prej vitesh një identitet të qartë proevropian, duke u renditur ndër shtetet e Ballkanit Perëndimor që kanë avancuar më shumë në procesin e integrimit.
“Ne jemi një vend që kemi krijuar një identitet proevropian. Shqipëria është ndër vendet që ka avancuar më shumë”, u shpreh ai.
Lami theksoi se zhvillimet gjeopolitike të viteve të fundit, veçanërisht lufta në Ukrainë, kanë ndryshuar qasjen e Bashkimit Evropian ndaj zgjerimit. Sipas tij, BE-ja tashmë i kushton më shumë rëndësi çështjeve të sigurisë dhe interesave gjeostrategjike.
“Lufta në Ukrainë ka ndryshuar strategjinë se si e shikon BE-ja veten dhe zgjerimin. I ka dhënë më shumë prioritet çështjes së sigurisë dhe gjeostrategjisë”, tha ai.
Analisti vlerësoi se ndikimi i aktorëve të jashtëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka shtyrë Bashkimin Evropian të tregojë interes më të madh për integrimin e vendeve të rajonit.
“BE-ja sheh se Ballkani Perëndimor, jo në pak raste, është nën influencën e vendeve joanëtare të saj, si Rusia dhe aktorë të tjerë. Kjo e ka bërë BE-në ta konsiderojë më seriozisht zgjerimin. Ne duhet ta shfrytëzojmë këtë rast, sepse nuk është një mundësi që vjen shpesh”, përfundoi Lami.
/abcnews.al/


