Zgjedhjet presidenciale në Kolumbi do të shkojnë në një balotazh më 21 qershor midis një kandidati të krahut të majtë dhe një të krahut të djathtë, në skajet e kundërta të spektrit politik.
Votimi i së dielës nuk nxori asnjë fitues, por Abelardo de la Espriella i krahut të djathtë, një admirues i Donald Trump, mori shumicën e votave, i ndjekur nga afër nga senatori i krahut të majtë Iván Cepeda, një aleat i presidentit aktual Gustavo Petro.
Fushata u shoqërua me dhunë, duke përfshirë sulme me dronë, rrëmbime dhe vrasje.
Espriella mori mbi 43% te votave, krahasuar me 41% të Cepeda. Paloma Valencia, konservatorja e moderuar që përfundoi në vendin e tretë me më pak se 7%, ka mbështetur kandidatin e djathtë.
Presidenti Petro tha se nuk i pranon rezultatet paraprake të numërimit dhe se do të priste rezultatet përfundimtare të shqyrtuara nga gjyqtarët. Ai pretendoi parregullsi në votim, duke përfshirë pretendimin se u shtuan qindra mijëra vota .
Cepeda ishte i përfshirë në mënyrë aktive në bisedimet e paqes që çuan në një marrëveshje historike në vitin 2016 midis qeverisë kolumbiane dhe grupit gueril FARC, e cila çoi në çarmatimin e mijëra luftëtarëve rebelë.
De La Espriella është një avokat dhe biznesmen që e quan veten “El Tigre”, tigri. Ai ka kritikuar ashpër negociatat e Petros me grupet e armatosura dhe ka mbështetur një goditje të ashpër ushtarake ndaj krimit, duke përfshirë bashkëpunim më të ngushtë me Shtetet e Bashkuara, bombardimin e karteleve me mbështetjen amerikane.
Raundi i dytë i zgjedhjeve më 21 qershor do të ketë pasoja për marrëdhënien e Kolumbisë me SHBA dhe disa nga fqinjët e Kolumbisë.


