Italia e jugut ka parë shumë vrasje mafioze.
Por ajo që ndodhi më 25 prill 2025 riktheu një skenar që dukej i varrosur prej dekadash.
Një 26-vjeçar italian, Francesco Diviesti, zhduket pas një konflikti banal. Pak ditë më vonë, trupi i tij gjendet i djegur mes gomave në një zonë të izoluar të Alta Murgia-s.
Hetuesit italianë kuptuan menjëherë se nuk kishin të bënin me një krim të zakonshëm. Ishte një ekzekutim mafioz.
Pas vrasjes fshihej një organizatë kriminale shqiptare, me bazë në Tiranë, e shtrirë në Itali dhe e lidhur me trafikun ndërkombëtar të kokainës, pastrimin e miliona eurove dhe një kod brutal heshtjeje.
SPAK dhe Antimafia e Barit ngritën një skuadër të përbashkët hetimore që do të çonte në arrestime në Shqipëri, Itali, Spanjë dhe Hungari.
Në konferencën e përbashkët për shtyp që u mbajt mëngjesin e 26 majit 2026 në Itali, prokuroërt italianë artikuluan vazhdimisht fjalën mafia e kodin e heshtjes, duke ia atribuuar grupit shqiptar që ishte stacionuar prej vitesh në zonën e Puglia-s.
Për ta, vrasja me 5 plumba, duke e ulur në gjunjë 26-vjeçarin Diviesti e më pas djegia e trupit, nuk është gjë tjetër veçse vepër e mafias.
Këto detaje të brutalitetit, të përsëritura nga autoritetet italiane në prezencën e tyre, mund të kenë qenë disi edhe të sikletshme për kryeprokurorin e SPAK, Klodjan Braho dhe prokurorin Vladimir Mara, të pranishëm në atë konferencë.
Ndonëse pjesë e këtij hetimi të përbashkët, prokurorët shqiptarë ende nuk e kanë pranuar dhe nuk e kanë artikuluar fjalën mafia shqiptare. Për ta, niveli më i lartë i kriminalitetit shqiptar, shkon deri te organizatat kriminale. Por për kolegët e tyre italianë, mafia që ata kanë njohur nga afër, nuk bën as më shumë e as më pak se çka bërë grupi i goditur së fundmi dhe që drejtohej nga Igli Kamberi.
Roberto Rossi, prokurori i Barit
“Për herë të parë është konstatuar një metodë mafioze, në sensin qe ishte futja e mafias shqiptare drejtpërdrejt në territorin tonë. Kemi bërë këtë operacion të madh, që nuk ishte vetëm për zbardhjen e vrasjes, por edhe për pastrimin e parave, si dhe arrestimi i një të dyshuari të rëndësishëm në Shqipëri”.
Giuseppe Giulio Leo
“Një mafia që është mësuar të veprojë siç vepronin mafiat tona 23 vite më parë. Igli Kamberi ishte rrënjosur mirë këtu dhe kishte edhe raporte me krimin e organizuar vendas, si dhe kishte lidhur aleanca të forta”.
VRASJA QË NISI HETIMET
Franccesco Diviesti u vra nga dy persona dhe krimi i tij vjen pas një tentative zhvatjeje të një borxhi prej 500 eurosh, i cili më vonë u zbrit në 300 euro me marrjen me qira të një makine për të dyshuarin kryesor, 41-vjeçarin Igli Kamberi. “Diviesti kundërshton kilometrazhin e makinës me qira dhe kjo sjellje interpretohet si fyerje sepse 26-vjeçari ka vënë në dyshim pozicionin e lartë të 41-vjeçarit, fjalën e tij. Një fyerje që duhet të lahet me gjak, sipas gjuhës më arkaike të pushtetit mafioz”, shpjegoi Giuseppe Gatti, koordinator i Drejtorisë Antimafia të Barit. “Frika mbetet arma më efektive dhe kjo konfirmohet nga deklarata e një miku të 26-vjeçarit. Pasi raportoi tentativën e zhvatjes dhe zbulimin e trupit, ai u kthye te hetuesit për të tërhequr deklaratën e tij sepse kishte përmendur njerëz që besonte se ishin të rrezikshëm”, vazhdoi Chimienti. Shkatërrimi i trupit të 26-vjeçarit është “një mesazh për të gjithë: ata që bëjnë gabime paguajnë. Me gjak”, theksoi prokurori Roberto Rossi.
Më 30 prill 2025, një trup gjysmë i djegur, u gjet në një fshat midis Canosa di Puglia dhe Minervino Murge. Policia lokale menjëherë pati dyshime, që mund të ishte trupi i Franccesco Diviesti, 26-vjeçarit nga Barletta i cili ishte zhdukur mbrëmjen e 25 prillit 2025. Ai e kishte kaluar pasditen me miqtë, pastaj u kishte dërguar mesazhin e fundit prindërve të tij në orën 8:18 të mbrëmjes. Djali thuhej se ishte parë rreth mesnatës së 25 prillit duke hyrë në dyqanin ku punonte me të atin, një parukeri në Barletta.
Familja e tij e kishte telefonuar gjatë natës, por telefoni i tij celular ishte i paarritshëm. Ata kishin kërkuar kudo, por pa sukses. Të nesërmen, ata kontaktuan karabinierët për ta raportuar të zhdukur. Kërkimi i koordinuar nga prefektura Barletta-Andria-Trani, kishte vazhduar që nga 26 prilli. Të gjithë ishin mobilizuar. “Le ta ndihmojmë familjen të gjejë Franccescon”, shkroi kryebashkiaku i Barlettës, Cosimo Cannito, në rrjetet sociale . “Kushdo që e sheh atë mund të kontaktojë forcat e rendit.”
Maria Marzocca, nëna e 26-vjeçarit
Kemi ruajtur qetësinë me dinjitet. Kemi vuajtur në heshtje. Por tani mjaft sepse duhet të sensibilizohet i gjithë komuniteti. Ne kërkojmë të vërtetën dhe drejtësi për djalin tim. Një djalë që ishte vetëm 26 vjeç, baba i një fëmije 9-vjeçar dhe besoj se ka ardhur momenti të themi mjaft dhe të bërtasim. Të bërtasim për drejtësi. Ne duam të dimë se çfarë ka ndodhur.
Kjo ishte deklarata e Maria Marzocca, nëna e Francesco Diviesti. Ajo komentoi edhe fjalët e shefit të Policisë së Barletta-Andria-Trani, Alfredo Fabbrocini, i cili, në konferencën për shtyp në fund të vitit, i siguroi ata se donte të zgjidhte rastet e mbetura. Drejtoria Antimafia e Distriktit të Barit kishte regjistruar pesë të dyshuar për vrasjen e 26-vjeçarit. Një burrë 57-vjeçar dhe djali i tij 21-vjeçar, një burrë 25-vjeçar nga Barletta, një shtetas shqiptar 40-vjeçar, që qershorin e vitit 2025 ishte arrestuar në Hungari për posedim droge dhe një 55-vjeçar nga Minervino Murge, ky i fundit pronar i një vile jo shumë larg rrënojave ku u gjet trupi i pajetë. Krimi i u konsiderua vrasje me metoda mafioze dhe me hetimin e çështjes u mor Drejtoria Antimafia e Barit.
Maria Marzocca, nëna e 26-vjeçarit
Jemi të shkatërruar. Duke ditur që janë 5 persona të dyshuar në hetim, që ecin nëpër qytet dhe duke ditur që jeta e tyre është normale, ndërsa e jona është e shkatërruar, të dhemb. Ajo që i ndodhi djalit tim, u vra si një kafshë, me gjithë respektin për kafshët. Dhe kjo gjë nuk duhet të kalojë në heshtje. Te presim!? Të presim çfarë? Sepse këtu të gjithë jemi të rrezikuar. Të gjithë fëmijët tanë janë të rrezikuar.
Igli Kamberi u arrestua më 25 qershor të vitit 2025 në Hungari. Ai më parë ishte nën mbikëqyrje të posaçme me leje qëndrimi por më pas u shpall në kërkim ndërkombëtar për një ngarkesë të madhe kokaine dhe dyshohej gjithashtu për vrasjen e 26-vjeçarit Diviesti. Kamberi nuk gjendej që nga data 27 prill 2025, por disa muaj më pas u arrestua në një autobus që po kalonte kufirin mes Hungarisë dhe Serbisë. Ndaj tij ishte lëshuar një urdhër arresti europian nga gjyqtari Gjykatës së Tranit me kërkesë të Zyrës së Prokurorit Publik.
Sipas hetimeve të kryera midis nëntorit dhe dhjetorit 2024 nga Qendra e Operacioneve të Drejtorisë Hetimore Antimafia të Barit, Igli Kamberi dyshohej se ishte përgjegjës, së bashku me dy italianë të tjerë të arrestuar në atë kohë për posedimin e mbi 24 kilogramëve kokainë, të ndarë në blloqe, të ruajtura në një garazh në zonën industriale të Barletta-s. Arrestimi i bashkëpunëtorëve në flagrancë nga Skuadra Andria dhe Stacioni i Policisë së Barletta-s solli urdhrin paraprak të arrestit me burg për shqiptarin. Më 6 dhjetor 2024, mbi 11 kilogramë drogë u sekuestruan nga policia gjyqësore, një sekuestrim që më vonë u vërtetua nga Zyra e Prokurorit. Hetimi përfshinte gjithashtu përgjime, mbikëqyrje dhe vëzhgim të drejtpërdrejtë, duke i lejuar ata të identifikonin 40-vjeçarin si kontaktin kryesor për ruajtjen dhe transferimin e drogës.
Që nga 27 prilli 2025, Igli Kamberi nuk mund të gjurmohej në Itali. Vendndodhja e tij u monitorua edhe në Shqipëri me mbështetjen e Zyrës së Ekspertit të Sigurisë në Tiranë. Ai u gjet më në fund në Roske të Hungarisë, në një autobus publik, gjatë një kontrolli kufitar. Ai u arrestua falë bashkëpunimit midis DIA-s, autoriteteve hungareze dhe Shërbimit për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor. I ekstraduar në Itali, ai u shoqërua në Aeroportin e Fiumicino-s , ku u njoftua për masën paraprake dhe më pas u transferua në burgun Rebibbia në Romë.
Por Igli Kamberi nuk po hetohej vetëm për drogë. Tashmë kishte edhe një hetim tjetër për të, pasi dyshohet për vrasjen e Franccesco Diviestit. Hetimi, i kryer nga Drejtoria Antimafia e Barit dhe i deleguar Njësive DIA dhe Andria FDA, kishte të dhëna se ishte një krim i rënduar nga metodat mafioze.
Maria Marzocca, nëna e 26-vjeçarit
Duam të kuptojmë motivet. Ku qëndron djali im në gjithë këtë situatë? Sepse këtu flitet për mafian shqiptare, trafik ndërkombëtar, flitet për shumë gjëra të rëndësishme, të paktën unë kështu i vlerësoj, gjëra të mëdha. Dua të kuptoj ku qëndron djali im në gjithë këtë.
ORGANIZATA SHQIPTARE
Një operacion i përbashkët nga Drejtoria Antimafia të Barit dhe SPAK u finalizua mëngjesin e datës 26 maj 2026. Operacioni u krye si pjesë e një Ekipi të Përbashkët Hetimor të krijuar me mbështetjen dhe koordinimin e Eurojust.
Hetimi, i kryer nga Drejtoria Antimafia e Barit dhe Skuadra Fluturuese e Shtabit të Policisë së Andrias, kishte të bënte me vrasjen e Franccesco Diviesti, e cila ndodhi në Canosa di Puglia më 25 prill 2025, si dhe një grup të strukturuar kriminal me bazë në Tiranë, të dedikuar për pastrim ndërkombëtar parash nga Italia në Shqipëri. Aktivitetet e paligjshme të grupit u rindërtuan nga Drejtoria Antimafia e Barit me ndihmën e autoriteteve shqiptare dhe Zyrës së Ekspertit të Sigurisë në Tiranë.
Detajet e operacionin u dhanë gjatë një konference për shtyp që u zhvillua në zyrën e Prokurorit Publik të Barit. Në konferencë ishin të pranishëm kryeprokurori i SPAK Klodjan Braho, bashkë me prokurorin Vladimir Mara, si dhe Roberto Rossi, prokurori Publik i Barit, Aldo Ingangi, ndihmës i Anëtarit Kombëtar për Italinë në Eurojust, dhe prokurorë të tjerë.
Gjatë konferencës u theksua se hetimet kishin të bënin me vrasjen e Franccesco Diviesti, por më pas doli në skenë droga dhe pastrimi i parave. Konkretisht, dy masa paraprake personale u lëshuan nga Gjyqtari për Hetime Paraprake i Barit dhe Gjyqtari në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë të Tiranës kundër një totali prej 15 individësh të mbajtur përgjegjës, në shkallë të ndryshme, për vrasje me paramendim, të kryer duke përdorur metoda mafioze, tentativë zhvatjeje, posedim dhe mbajtje të paligjshme të armëve të zjarrit dhe municioneve, ndihmë dhe inkurajim, shkelje të masave parandaluese personale dhe pastrim ndërkombëtar parash nga Italia në Shqipëri brenda një grupi të strukturuar me seli në Tiranë.
Drejtoria Antimafia të Barit
Masa e parë, e lëshuar në Gjykatën e Barit, mbështetet në gjetjen e provave serioze kundër tre autorëve të dyshuar të vrasjes brutale të Franccesco Diviestit, e cila ndodhi në Canosa më 25 prill 2025. Konkretisht, një burrë shqiptar, autori aktual i vrasjes, dhe dy italianë nga Barleta, një burrë dhe një grua, akuzohen për ndihmë në mbulimin e krimit dhe mosraportim të njohurive të tyre tek autoritetet gjyqësore. Vetë Diviesti, ka rezultuar, se ishte viktimë e tentativës së zhvatjes. Së fundmi, brenda të njëjtit hetim, u ngrit edhe akuza për posedim dhe mbajtje të një pistolete në një vend publik, e cila më pas u sekuestrua. Pistoleta u përdor për të kryer një ushtrim me armë zjarri në fshat të hapur, duke qëlluar 25 herë. Në mbrëmjen e 25 prillit 2025, Franccesco Didiesti u përfshi në një sherr në një bar në Barletta dhe më pas u çua në disa shpella në një zonë të izoluar të Alta Murgia, në zonën e Canosa di Puglia. Atje, ai u qëllua nga afër me pesë të shtëna nga dy pistoleta përpara se të digjej brenda disa gomave, me qëllim dëmtimin e trupit të tij, duke përdorur një metodë që të kujton teknikën e përdorur në vitet 1990 në zonën e Barletta-s.
Sipas Drejtorisë së Antimafias, falë punës së gjerë hetimore, u bë e mundur rindërtimi i çështjes në detaje. Doli se ajo lindi në kontekstin e kontrollit të aktiviteteve të trafikimit të drogës, të menaxhuara nga shtetasi shqiptar i arrestuar, Igli Kamberi. Në një përpjekje për të pohuar supremacinë e tij kriminale në qytetin e Barlettës duke përdorur metoda mafioze, ai dyshohet se kreu vrasjen me bashkëpunimin e dy shtetasve italianë. Duke pasur parasysh mënyrën e ekzekutimit, hetimi u mor menjëherë përsipër nga Drejtoria Antimafia e Distriktit të Barit. Pas katër ditësh, trupi u gjet dhe më pas, më 25 qershor 2025, shtetasi shqiptar u gjurmua në Hungari. Pasi u gjet, shqiptari u arrestua jo për vrasjen, por për posedim të 24 kilogramëve kokainë të pastër, si pjesë e një procedure të trajtuar nga Prokuroria e Tranit. Në të njëjtën kohë, veprimi i menjëhershëm në territorin italian solli gjithashtu sekuestrimin e mbi 412 eurove cash nga anëtarët e familjes së tij, si dhe fajësinë e tre italianëve të tjerë të përfshirë, në cilësi të ndryshme, në çështjet penale nën hetim.
Drejtoria Antimafia të Barit
Hetimi gjithëpërfshirës që sqaroi rastin e lartpërmendur është pjesë e një përpjekjeje komplekse hetimore të zhvilluar nga Ekipi i Përbashkët Hetimor me SPAK-un shqiptar. Falë kësaj përpjekjeje, gjykatësi në Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës lëshoi një masë paraprake, të ekzekutuar bashkërisht në Itali, Shqipëri dhe Spanjë, kundër shqiptarit të akuzuar për vrasjen e Diviestit dhe nëntë personave të tjerë që besohet se i përkasin një grupi të strukturuar me bazë në Tiranë të përfshirë në pastrim ndërkombëtar parash nga Puglia në Shqipëri. Të njëjtët individë të hetuar nga autoritetet shqiptare kanë siguruar një rrjedhë të pandërprerë të transfertave të parave, të ardhura nga shitja e narkotikëve e tregtuar me shumicë në Itali, duke përfshirë edhe 680 mijë euro të sekuestruara nga Policia Shqiptare më 14 nëntor 2024, në pikën kufitare të Muriqanit, midis Malit të Zi dhe Shqipërisë, pas udhëzimeve specifike të dhëna nga Qendra e Operacioneve Antimafia e Barit.
Edhe Prokuroria e Posaçme, sqaroi zyrtarisht se rindërtimi i vrasjes së Diviestit dhe identifikimi i grupit kriminal të përfshirë në pastrimin e produkteve të veprës penale u bë i mundur falë një hetimi më të gjerë ndaj shtetasve shqiptarë të vendosur në Puglia. Sipas SPAK, lidhur më shtetasit e hetuar, GJKKO ka caktuar gjithashtu edhe sekuestron preventive për 4 shoqëri tregtare, 8 automjete, 10 llogari bankare dhe shumën prej 680 595 euro, të cilat u sekuestruan nga Policia e Shtetit në 14 nëntor 2024 në Pikën e Kalimit Kufitar të Muriqanit, teksa po transportoheshin me makinë nga Lefter Nelaj. Ai po hynte në Shqipëri nga Italia. Sipas dëshmisë që dha Lefter Nelaj në Prokurorinë e Shkodrës, që hetoi çështjen, paratë ia kishte dorëzuar në Trieste një prift polak, Diakon Jacek Roman Bogacz, famullitar i një kishe katolike në Poloni, me pretendimin se ishin donacione për restaurimin e kishave në Lezhë. Nelaj deklaroi se e njihte priftin prej punës në restaurimin e kishave në Poloni dhe se paratë i kishte fshehur në dyert e furgonit për siguri gjatë udhëtimit. Ndërkohë, SPAK dhe autoritetet italiane dyshojnë se fondet janë produkt i aktivitetit kriminal, edhe pse në atë kohë Prokuroria e Shkodrës po zhvillonte hetime për pastrim parash dhe mosdeklarim të të hollave në kufi, duke kërkuar informacion edhe nga autoritetet polake për profilin dhe aktivitetin e priftit.
Në përfundim të këtij hetimi të përbashkët mes autoriteteve italiane dhe shqiptare, Gjykatat vendosën 15 masa sigurimi, 10 nga të cilat nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar në Tiranë, ndërsa 5 masa në Itali, 3 “arrest në burg” dhe 2 “detyrim paraqitje” që u ekzekutuan atje. Ndërsa një masë është ezkekutuar në Madrid, në Spanjë. Në Shqipëri u ekzekutuan 5 masa sigurie “arrest në burg” dhe një “detyrim paraqitje”, në Tiranë, Fier dhe Vlorë. 11 prej personave të dyshuar janë shqiptarë dhe 4 italianë, përfshirë edhe 4 gra, për të cilat ka pasur masa më të lehta, “arrest shtëpie” dhe “detyrim paraqitje”.
Klodjan Braho, kryeprokuror i SPAK
Ky operacion është rezultat ti një hetimi të përbashkët e të gjatë e të koordinuar. Janë caktuar në dy autoritetet e dy vendeve 15 masa sigurim personale, 10 janë caktuar nga Gjykata e Posaçme. Është një element i rëndësishëm i këtij, jo vetëm goditja e krimit të organizuar por dhe goditja e produkteve dhe pasurive që kanë rrjedhur nga aktiviteti i trafikimit të lëndëve narkotike. Gjatë hetimeve janë sekuestruar në total rreth 1 milion euro cash, nga GJKKO janë sekuestruar pasuri të tjerë, shoqëri, automjete e llogari bankare. Ajo që dua të theksoj është se kjo skuadër nuk vjen si pasojë e një terreni bosh, por vazhdimësi e disa skuadrave të mëparshme. Përmend operacionet “Shpirti”, “Kulmi”, “Ura” ku janë dënuar 170 persona, 145 prej të cilëve me dënime të rënda mbi 12 vjet. Bashkëpunimi i sotëm është më i miri që ne në Shqipëri kemi pasur. Skuadrat e përbashkëta mund të funksionojnë. Kur ekziston vullneti dhe angazhimi, rezultatet hetimore janë të arritshme.
Në vijim të këtij hetimi, SPAK ka vënë në sekuestro pasuri të luajtshme e të paluajtshme të familjarëve e bashkëpunëtorëve të Igli Kamberit dhe Ergys Kastratit, i cili u arrestua në një zonë rezidenciale, tek rruga e Elbasanit në Tiranë. Këta të dy persona dyshohet se janë figurat kryesore të grupit kriminal të goditur nga SPAK dhe Antimafia e Barit, me veprimtari në fushën e pastrimit të parave, të cilat dyshohet se e kanë burimin nga trafiku i drogës dhe dërgoheshin nga Italia në Shqipëri. Megjithatë, autoritetet italiane dhe ato shqiptare, thonë se drejtuesi i këtij grupi kriminal, ende nuk është arritur të gjurmohet.
Drejtoria Antimafia të Barit
Gjyqtari i hetimeve paraprake të Gjykatës së Barit, duke pranuar kërkesat e Departamentit Antimafia, e njohu plotësisht çështjen e prokurorisë, duke përfshirë rrethanat rënduese të paramendimit dhe metodave mafioze. Masat kufizuese të lëshuara nga GJKKO në Tiranë, kishin të bënin me shtetasin shqiptar të hetuar kryesisht për vrasjen e Franccesco Diviesti dhe nëntë bashkëqytetarëve të tij, përfshirë anëtarët e familjes së tij më të ngushtë, pronarin dhe dy punonjës të një kompanie transporti, dhe së fundmi, një trafikant ndërkombëtar droge, aktualisht i pagjurmueshëm, që besohet të jetë në krye të organizatës.
SPAK ka sekuestruar 8 automjete, 10 llogari bankare dhe 4 shoqëri tregtare, si dhe rreth 680 mijë euro cash. Këto të fundit të kapura në Muriqan në vitin 2024. Pronat që i janë sekuestruar Igli Kamberit janë: Subjekti “Igli Kamberi” me veprimtari “Menzë-katering”, restorante dhe shërbim ushqimor i lëvizshëm”, me seli në Kashar. Dy llogari bankare të bashkëshortes së tij, Nevila Kamberi dhe të nënës së saj, si dhe një subjekt me emrin “Fermer Fatos Buzi”, me veprimtari “Bujqësi-Prodhim Fruta-perime”, në emër të vjehrrit të Igli Kamberit.
Janë sekuestruar po ashtu edhe dy llogari bankare të Ergys Kastratit, të arrestuar në Tiranë dhe bashkëshortes së tij. Gjithashtu një shoqëri për dhënien e makinave me qira, në pronësi të Bardhok Gjergjit, 5 automjete luksoze dhe një llogari bankare, si person i hetuar për këtë çështje. Janë vënën nën sekuestro edhe llogaritë bankare dhe atumjetet në pronësi të shtetasve, Saimir Pirra, Sokol Fusha dhe Edi Brahaj, të cilët dyshohet se kanë përfituar nga aktiviteti kriminal i grupit.
MAFIA APO GRUP KRIMINAL
Për prokurorët italianë, grupet shqiptare nuk janë më organizata periferike. Ato kanë marrë rol drejtues në trafikun ndërkombëtar të drogës dhe funksionojnë sipas kodeve të organizatave mafioze klasike.
Në vitet ’90-të kronikat televizive ishin pushtuar nga “bëmat” e “Cosa Nostra”-s, vrasje dhe atentate të bujshme, që drejtoheshin nga kapot e mafias italiane. “Shkëlqimi” i këtyre bosëve të krimit ishte pikërisht në ato vite dhe më pas gjithçka erdhi duke u zbehur. Por termi “mafia” nuk zhduket lehtë për italianët.
Në Puglia, aty ku u godit grupi i fundit shqiptaro-italian, vite më parë vepronte “Sacra Corona Unita”. Selinë qendrore e kishte në Puglia. Ndërsa fillesat i kishte në vitet ’80 dhe konsiderohej nga Prokuroria Antimafia si organizimi më i fuqishëm. Përbëhej nga 7 organizata dhe 47 familje, kryesisht në provincën e Brindizit, Leçes dhe Trentos. Ishte një organizim i ri në krahasim me organizimet e mëparshme të mafies, për sa i përket territorit dhe aferave, por vitet e fundit veproi më me vendosmëri dhe egërsi të dukshme. E veçanta e saj ishte përdorimi i të miturve dhe lidhja e ngushtë me segmente shqiptarësh.
E duket se pikërisht këtu, në këtë pikë, bashkohet edhe mendimi i pothuajse të gjithë prokurorëve që ishin te pranishëm në konferencën e 26 majit 2026, bashkë me kryeprokurorin e SPAK, Klodjan Brahon dhe prokurorin Vladimir Mara. Duke shpjeguar hetimet e ndjekura për goditjen e grupit të fundit që vepronte ne Puglia, edhe pse duhet pranuar se nuk është nga ata më të mëdhenjtë që janë goditur e hetuar më parë, pala italiane e vlerësoi këtë grupim si mafioz. Duke e krahasuar me organizatat mafioze tradicionale që kishin vepruar atje vite më parë, nisur që nga lidhjet familjare, hierarkia, frika që përcillte e madje në një moment përmendën edhe “Omerta”-n, kodin e heshtjes.
Giuseppe Gatti, prokuror
Grupet kriminale shqiptare veprojnë si në territorin shqiptar, ashtu edhe jashtë tij, duke fituar rol drejtues në vendet ku operojnë. Ekziston edhe një garë mes tyre për dominim. Krimi i organizuar ka hyrë në një proces delokalizimi. Ky hetim tregon se organizatat kriminale shqiptare të pranishme në Itali ruajnë lidhje me ‘shtëpitë mëmë’ dhe funksionojnë si struktura mafioze. Në grup ndodhet edhe një person nën hetim në Itali, pjesë e një strukture që pastron paratë e drogës. Këto organizata zhvillojnë aktivitet kriminal edhe në Itali dhe e konfirmojnë nivelin e tyre kriminal përmes vrasjeve. Funksionojnë si grupe tipike mafioze: një person merret, dërgohet në një vend të izoluar, vritet dhe më pas trupi digjet. Këto janë ndër format më të tmerrshme të dhunës që përdoren për të treguar forcën e tyre. Grupet shqiptare shfaqin tipare të qarta mafioze, si në kodet e sjelljes, ashtu edhe në lidhjet familjare e kriminale. Personi i akuzuar për vrasje e justifikon ekzekutimin duke thënë se nuk ishin respektuar rregullat e ‘familjes’. Kemi arritur të kuptojmë një model kriminal që ka bazën në Tiranë, por që është shtrirë edhe në Itali, duke ruajtur rregullat dhe hierarkinë tipike të organizatës ‘mëmë’.
Megjithatë, duke pranuar rrezikshmërinë e krimit të organizuar, pa dyshim edhe atij shqiptarë, duket se prokurori Vladimir Mara, replikoi disi në këtë drejtim. Vërtetë ka një organizim, në grupe apo organizata kriminale shqiptare, por deri më sot askush nuk ka arritur, në asnjë lloj studimi, të krijoi bindjen se vërtetë ekziston koncepti i mafias shqiptare.
Prokuror i çështjes Vladimir Mara tha se nuk mund të flasim për një kombësi të krimit të organizuar dhe se grupet kriminale shqiptare, kanë gjetur mbështetje në Itali ku dhe janë fuqizuar e modernizuar.
Vladimir Mara, prokuror i SPAK
Kemi dokumentuar episode të trafikut të narkotikëve dhe pastrimit të parave. Falë këtij hetimi është zbuluar edhe vrasja e një shtetasi në Itali. Elemente të krimit të organizuar shqiptar kanë gjetur mbështetje në Itali, duke krijuar modele bashkëpunimi, duke avancuar dhe modernizuar mënyrat e kryerjes së veprave kriminale. Nuk mund të flasim për një kombësi të krimit të organizuar, por për fenomenin e krimit të organizuar, ndaj bashkëpunimi ynë është i domosdoshëm.
Një vrasje mafioze, jo domosdoshmërisht është tregues për ekzistencën e mafias shqiptare. Por askush nuk mohon fuqinë e grupeve apo organizatave kriminale shqiptare. Madje vetë prokurorët e posaçëm, të paktën gjatë viteve të fundit, kanë pasur në duar dosje shumë të rëndësishme, kanë goditur grupe të strukturuara kriminale dhe organizata kriminale me fuqi mjaft të madhe financiare. Por në asnjë rast nuk janë konsideruar si organizata mafioze. Të paktën të tilla ende nuk janë zbuluar edhe nga shumë e shumë hetime të kryera nga Prokuroria e Posaçme.
Fakti që vetëm 4 vitet e fundit, SPAK ka arritur të kthejë në të penduar disa pjesëtarë të krimit organizuar shqiptar, është tregues i mjaftueshëm që në fakt “Omerta” shqiptare nuk ekziston.
ATENTATI I VITIT 2015
Personazhi kryesor dhe i dyshuar si më brutali i grupit kriminal shqiptar që vepronte në Puglia, Igli Kamberi, ishte një emër i njohur për autoritetet vendase. E megjithatë, as drejtësia atje duket se nuk ia doli ta mbante nën kontroll.
Ai e kishte nisur aktivitetin e tij atje, si vrasës me pagesë, edhe pse të paktën në një rast të dokumentuar në vitin 2015 nuk arriti të realizojë krimin për të cilin ishte pajtuar. Por me vitet ndodhi edhe evolucioni kriminal i grupit ku ai bënte pjesë.
Për hetuesit italianë, emri i Igli Kamberit nuk ishte i panjohur. Më shumë se një dekadë më parë, ai ishte përfshirë në një tjetër dosje të rëndë.
Më 20 janar 2015, këshilltari i qytetit dhe kreu i grupit të Partisë Demokratike, Pasquale Ventura, u qëllua dy herë me armë zjarri. Vetëm shkathtësia e Venturës parandaloi që të ndodhte më e keqja dhe spekulimet shpërthyen shpejt në qarqe të ndryshme të qytetit, veçanërisht në ato politike. Por kjo ishte qasja e gabuar. Stacioni i Policisë së Barlettës ndërmori veprime të rëndësishme, duke iu përgjigjur menjëherë hetimeve fillestare në vendin e ngjarjes. Më pas, njerëzit e Di Priscos dhe i gjithë rrjeti hetimor u angazhuan në përgjime të gjera, mbikëqyrje mjedisore, regjistrime video dhe kontrolle në platformat kryesore të mediave sociale. Menjëherë pas sulmit, u morën dhe u analizuan me kujdes video të shumta nga sistemet e mbikëqyrjes me video të instaluara në biznese të ndryshme, si dhe sistemi i kamerave të sigurisë së qytetit i monitoruar në stacionin e policisë . Ishte pikërisht shqyrtimi i kujdesshëm i këtyre videove që lejoi grupin hetimor të përcaktonte me siguri absolute rrugën e ndjekur nga dy motoçiklistët që në fakt kishin tentuar të vrisnin këshilltarin e qytetit.
Pas analizës së të dhënave telefonike, më 26 shkurt 2015, me kërkesë të prokurorit Conticelli, u lëshuan urdhër-arreste për shqiptarin Igli Kamberi dhe italianin Sibilano Franccesco. Ky i fundit u lirua më vonë nga Gjykata e Apelit sepse pozicioni i tij ishte margjinal krahasuar me atë të Kamberit.
Megjithatë, përpjekjet hetimore vazhduan me forcë. Përgjime të mëtejshme dhe hetime mjedisore dhanë prova të rëndësishme kundër Concetta Dimatteo, Artan Belliu dhe Giacomo Lanotte. Analiza hetimore zbuloi qartë se Dimatteo, ish-gruaja e Pasquale Ventura-s, për arsye trashëgimie, i kishte dhënë udhëzime Artan Belliut të gjente dy persona që mund ta kryenin vrasjen e ish-burrit të saj, duke u premtuar atyre një shpërblim. Duket se u pagua një lloj “paradhënie” prej 10 mijë eurosh, e ndjekur nga një pagesë përfundimtare prej 20 mijë eurosh, shumë që rezultoi se nuk u pagua për shkak se autorët dështuan. Artan Belliu më pas punësoi Igli Kamberin dhe Giacomo Lanotte-n. Në fakt, hetimet sollën konstatimin se menjëherë pas pritës, dy motoçiklistët ishin fshehur në Via Cimarosa, pikërisht brenda garazhit në pronësi të Lanotte.
Pas sulmit, Kamberi doli nga garazhi, ndërsa Lanotte mbeti brenda ndërtesës sepse ishte shtëpia e tij. Analiza e mëtejshme e pamjeve filmike konfirmoi se Lanotte kishte qëlluar në drejtim të Venturës, ndërsa Kamberi kishte qenë përgjegjës për gjetjen dhe drejtimin e motoçikletës. Ky fakt u mbështet nga deklaratat e kreut të grupit të Policisë menjëherë pas sulmit, i cili u tha hetuesve se personi që e qëlloi kishte një trup të shëndoshë dhe lëvizte ngadalë dhe ngathët, njësoj si Lanotte, i cili ishte mjaft i shëndoshë. Hetimet e mëtejshme shkencore sollën konfirmime të tjera. Ventura arriti t’i shpëtonte sulmit falë veprimeve më të shpejta se sulmuesi i tij. Konfirmim i mëtejshëm erdhi nga deklaratat e një dëshmitari, i cili tha se Lanotte ishte ai që qëlloi, se Kamberi po ngiste motoçikletën dhe se Dimatteo Concetta ishte nxitësja. Bazuar në të gjitha provat e mbledhura, prokurorja përgjegjëse për hetimin, Mirella Conticelli, kërkoi masat paraprake , të cilat u ekzekutuan nga gjyqtari i hetimeve paraprake i Trani-Caserta. Pas formaliteteve të zakonshme, të tre të arrestuarit u çuan në burgun e Tranit.
Për vite me radhë, grupet kriminale shqiptare u panë si struktura të vogla periferike në Europë.
Sot, prokurorët italianë flasin ndryshe.
Ata thonë se këto organizata kanë krijuar një sistem të fuqishëm trafiku droge, pastrimi parash dhe kontrolli përmes frikës.
Vrasja e Franccesco Diviestit nuk ishte vetëm një larje hesapesh.
Për prokurorët italianë ishte një mesazh. Një demonstrim force.
Nisur nga kjo vrasje, autoritetet shqiptare dhe italiane ndërtuan një hetim të përbashkët që goditi jo vetëm rrjetin e bashkëpunëtorëve dhe drejtuesve, por edhe paratë, bizneset. Pra financat e organizatës.
Megjithatë, ashtu siç e thanë edhe vetë prokurorët italianë e shqiptarë, ky nuk ishte grupi i parë e me gjasë nuk do të jetë as i fundit.
Madje, edhe në këtë rast, nuk dihet me siguri nëse u godit i gjithë grupi, apo u zbulua vetëm një pjesë e një strukture shumë më të madhe.


