Tirana mund ta realizojë objektivin e saj për integrimin në Bashkimin Europian, por duhet të realizohen detyrat teknike. Rol do të luajnë edhe zhvillimet politike në Bruksel.
Ky është mendimi i profesorit të Universitetit “Johns Hopkins” në SHBA, Daniel Serwer, i cili në një intervistë për ABC News këshillon Kosovën të gjejë një mënyrë urgjente për të “mbyllur” krizën.
Amerikani mendon se populli serb duhet ta kuptojë vetë cili është drejtimi më i mirë, edhe pse Vuçiç duket se po sillet si një politikan më i zgjuar se Millosheviçi.
Serwer theksoi se Gjykata Speciale në Hagë dhe dosja kundër ish-krerëve të UÇK-së është e padrejtë.
INTERVISTA
PYETJE: Profesor, shumë faleminderit për kohën. Dëshiroj ta nisim nga Tirana bisedën tonë. Cili është mendimi juaj për procesin integrues të Shqipërisë në Bashkimin Europian?
DANIEL SERWER:
Unë shpresoj shumë ta shoh Shqipërinë teksa bëhet pjesë e Bashkimit Europian. Do të ishte një arritje e madhe. Por nuk duhet harruar se ka dy aspekte në përgatitjen për anëtarësim në BE. Njëri është aspekti teknik, por ekziston edhe dimensioni politik, dhe aktualisht ai lidhet kryesisht me qëndrimin e vendeve ekzistuese anëtare të BE-së.
Jam pothuajse i sigurt se Shqipëria do të jetë gati në aspektin teknik brenda dy viteve të ardhshme. Për atë që nuk jam i sigurt është qëndrimi politik i Bashkimit Europian.
Ka vende në BE që po përballen me zgjedhje ku partitë e djathta, armiqësore ndaj të huajve, emigrantëve dhe madje edhe ndaj vetë Bashkimit Europian, mund të fitojnë mbështetje të madhe. Për këtë arsye, qeveria juaj përballet me një sfidë të vështirë diplomatike: të bindë vende si Gjermania dhe Franca, por edhe të tjera, se pranimi i Shqipërisë në Union do të ishte në të mirë të vetë BE-së.
Bashkimi Europian vendosi të zgjerohet pas pushtimit rus të Ukrainës, për të treguar se mund t’i përgjigjet në mënyrë efektive zhvillimeve gjeopolitike në rajonin e tij.
Mali i Zi është teknikisht gati gjithashtu, por përballet me të njëjtat pengesa politike brenda BE-së. Islanda, nga ana tjetër, nëse vendos të anëtarësohet, pothuajse nuk ka pengesa teknike, pasi prej kohësh është në përputhje me standardet europiane dhe ndoshta do të përballej edhe me më pak barriera politike.
Po të isha në drejtim të Shqipërisë, do të thosha: le të përgatitemi sa më shpejt. Nëse Islanda fillon të ecë përpara, Mali i Zi do të bashkohet me të dhe Shqipëria duhet të jetë gati të ecë në të njëjtin ritëm me Malin e Zi.
PYETJE: Cili është opinioni juaj për krizën politike në Kosovë, duke pasur parasysh se më 7 qershor vendi do të mbajë zgjedhjet e treta kombëtare brenda vetëm 16 muajsh?
DANIEL SERWER:
Kjo lloj situate ndodh në sistemet parlamentare. Në thelb, ka dy zgjedhje: njëra në ditën e votimit dhe tjetra gjatë procesit të formimit të qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit.
Kosova ka pasur vështirësi në këtë proces dhe nuk ka arritur t’i zgjidhë problemet brenda një afati të arsyeshëm. Në fakt, kjo situatë po vazhdon prej më shumë se dy vitesh. Shpresoj që këto zgjedhje ta zgjidhin më në fund situatën në një mënyrë ose në një tjetër.
Nuk e di nëse partia e Albin Kurtit, Vetëvendosje, do të sigurojë shumicën që kishte dikur, por nëse nuk e arrin, shpresoj që kryeministri Kurti të lëvizë shpejt drejt krijimit të një koalicioni dhe zgjedhjes së presidentit.
PYETJE: Serbia, nga krahu tjetër, po përballet me protesta të mëdha studentore, ndërsa presidenti Aleksandër Vuçiç ka lënë të kuptohet disa herë mundësinë e dorëheqjes. Si e vlerësoni situatën aktuale politike atje?
DANIEL SERWER:
Nuk mund të spekuloj nëse presidenti Vuçiç do të japë dorëheqjen. Kjo është një vendimmarrje personale dhe vendime të tilla nuk mund të parashikohen.
Protestat aty tregojnë qartë pakënaqësi serioze ndaj sistemit politik që Vuçiç ka krijuar, i cili është më autokrat sesa qeveritë e mëparshme në historinë e afërt të Serbisë. Sipas mendimit tim, ai sistem nuk ka qenë aq i suksesshëm ekonomikisht apo në raport me integrimin europian sa pretendon ai vetë.
Gjithashtu, Serbia nuk ka ndjekur vetëm neutralitetin politik, por është afruar gjithnjë e më shumë me Kinën dhe Rusinë. Personalisht, po të isha serb, nuk do të isha i kënaqur me atë drejtim.
Megjithatë, opinionet politike në Serbi janë të ndryshme. Disa mendojnë se Vuçiç nuk ka qenë mjaftueshëm i ashpër ndaj Kosovës, ndërsa të tjerë mendojnë se ai duhej të afrohej edhe më shumë me Rusinë ose Kinën.
Në këtë fazë nuk besoj se rezultati i zgjedhjeve në Serbi është i lehtë për t’u parashikuar. Në përgjithësi, nuk besoj në parashikime zgjedhore. Në një zgjedhje demokratike, rezultati dihet vetëm ditën pas votimit.
Opozita ende duhet të organizohet, të hartojë një program të qartë politik dhe të bindë qytetarët se është e aftë të qeverisë.
Vuçiç, ndërkohë, do të argumentojë se ka sjellë rezultate për Serbinë. Ai do të theksojë se nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe do të paraqesë një argument të fortë politik për veten. Ai është një politikan shumë i aftë — sipas mendimit tim, më i zgjuar politikisht sesa ishte Sllobodan Millosheviçi.
Kur Vuçiç erdhi fillimisht në pushtet, mendova se mund ta orientonte Serbinë drejt Perëndimit. Fatkeqësisht, ai zgjodhi një rrugë tjetër, të cilën unë personalisht nuk mund ta mbështes.
PYETJE: Po për Bosnje-Hercegovinën çfarë mendoni? Aty ka pasur vazhdimisht përplasje mes drejtuesve politikë dhe përfaqësuesit ndërkombëtar të Marrëveshjes së Dejtonit. Si i shihni zhvillimet politike atje?
DANIEL SERWER:
Marrëveshja e Dejtonit institucionalizoi politikën etno-nacionaliste në Bosnje dhe Hercegovinë dhe pothuajse të njëjtat forca politike kanë mbetur në pushtet që prej asaj kohe.
Më shumë se 30 vite më pas, sistemi kushtetues vazhdon të kufizojë liritë politike dhe zgjedhjet e qytetarëve boshnjakë. Megjithatë, vetëm vetë qytetarët e Bosnjës mund ta ndryshojnë këtë realitet.
Përfaqësuesi i Lartë nuk mund ta rishkruajë kushtetutën. Reformat reale kërkojnë ndryshime kushtetuese që kufizojnë vetot etnike dhe forcojnë të drejtat individuale mbi privilegjet kolektive etnike.
Ka pasur mundësi reformash, si Paketa e Prillit në vitin 2005 dhe zbatimi i vendimit Sejdić-Finci të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, por ato mundësi u humbën.
PYETJE: Cili është mendimi juaj për protestat e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut?
DANIEL SERWER:
Maqedonia e Veriut ka bërë shumë për të adresuar shqetësimet legjitime të shqiptarëve pas pavarësisë. Nëse duhet të bëjë më shumë, kjo është çështje që duhet ta vendosin vetë qytetarët e Maqedonisë së Veriut.
Standardet europiane duhet të shërbejnë si udhërrëfyes. Megjithatë, mendoj se është për të ardhur keq që shqiptarët dhe maqedonasit po jetojnë gjithnjë e më shumë jetë të ndara, duke mos mësuar sa duhet gjuhët e njëri-tjetrit.
Uniteti i vendit varet nga mirëkuptimi real mes dy komuniteteve. Në të njëjtën kohë, mirëqenia varet edhe nga integrimi në shoqëri dhe nga njohja e gjuhës angleze, e cila është thelbësore për integrimin europian.
PYETJE: Profesor, dua t’ju pyes edhe për atë që po ndodh në Hagë me ish-krerët e UÇK-së. Çfarë duhet të presim nga Gjykata Speciale për Kosovën?
DANIEL SERWER:
Nuk do të parashikoj vendimet e gjykatës. Megjithatë, mendoj se është e padrejtë që njerëzit të mbahen në burg për pesë vite pa një vendim përfundimtar.
Unë e njoh personalisht Hashim Thaçin. E kam takuar menjëherë pas luftës, gjatë vizitës së tij të parë në Uashington. Në atë kohë nuk besoj se ai kishte autoritet komandues mbi UÇK-në në mënyrën që pretendojnë prokurorët.
Nuk ka dyshim që pas luftës ka pasur dhunë, përfshirë ndaj serbëve dhe përplasje mes mbështetësve të UÇK-së dhe LDK-së. Këto ngjarje ishin shumë fatkeqe.
Megjithatë, akuzat për trafik organesh, të cilat çuan në krijimin e tribunalit, ishin të rreme. Unë vetë mbështeta krijimin e gjykatës sepse besoja se ato akuza nuk do të qëndronin. Në këtë kuptim, kam gabuar.
Tribunali ka shpenzuar shumë para për një proces që, sipas mendimit tim, ngre pikëpyetje serioze për drejtësinë dhe drejtësinë procedurale.
PYETJE: Në fund, profesor, si mund ta përmblidhni situatën në Ballkan me pak fjalë?
DANIEL SERWER:
Në përgjithësi, pavarësisht problemeve, besoj se Ballkani është përmirësuar ndjeshëm gjatë viteve. Ende ka sfida të mëdha — varfëri, pabarazi dhe institucione të dobëta — por demokracia nuk është fundi i procesit. Ajo është fillimi, jo fundi.


