Të martën e dy qershorit maturantët do ti nënshtrohen provimit të parë të maturës shtetërore, atij të gjuhës së huaj. Në prag të testimit ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro sqaroi rregullat që duhen ndjekur dhe tha se do të ketë zero tolerancë për ato që i shkelin.
Penalizime do të ketë si për maturantët dhe për administratorët që do të monitorojnë procesin.
“Patjetër celularët, orët inteligjente dhe çdo pajisje e këtij lloji është rreptësisht e ndaluar. Dhe çdo thyerje e këtij rregulli do të sjellë automatikisht përjashtimin e maturantit nga provimi. Pra është një kosto që unë uroj të mos e marrë përsipër asnjë maturant, që të hedhë poshtë vitet e shkollimit vetëm për një gabim të tillë të pafalshëm”, tha ajo.
Ministrja foli gjithashtu për ligjin e arsimit. Një grup pune me përfaqësues nga universitetet publike dhe jo publike po ngrihet për rishikimin e tij.
Profilizimi dhe ndërkombëtarizimi i universiteteve sipas ministres së arsimit janë dy kushtet e domosdoshme që duhet ti diktojë ligji I ri.
“Riorganizim programesh, jo shkrirje. Universitetet duhen përshtatur me tregun e punës”, tha ajo.
Ligji për arsimin e lartë është miratuar në vitin 2015 dhe aktualisht sipas ministres së arsimit ai duhet përshtatur me nevojat që dikton koha.


