Janë zbuluar emrat e dy shqiptarëve të arrestuar dje pas një ndjekjeje episodike të policisë greke rrugëve të Athinës.
Fillimisht në Patisia u plagos me armë zjarri brenda dyqanit të tij, një shtetas pakistanez, ndërsa më pas autorët u larguan me një automjet duke kryer manovra të rrezikshme e duke u përplasur me disa mjete, deri sa u ndaluan nga policia.
Dy shqiptarë dhe një grek u arrestuan, ndërsa një i katërt arriti t’i shpëtojë prangave. Shqiptarët e arrestuar janë Jerasimo Korkuti, 31 vjeç dhe Adi Beqiri, 27 vjeç.
Ngjarja ndodhi dje në orën 18:30 të pasdites, kur një person hyri në një dyqan telefonash celularë në rrugën “Patision” dhe qëlloi pronarin e dyqanit, me origjinë pakistaneze, një herë në këmbë.
Autori i krimit hipi më pas në një BMW gri që po e priste jashtë dhe në të cilën ndodheshin tre persona të tjerë, ndërsa i plagosuri u dërgua në spital.
Pas një ndjekjeje nga policia, automjeti u gjet në rrugën “Tsounta”, në Bulevardin “Kifissou”, në rrugën për në Lamia.
Atje, automjeti i dyshuar u përplas me tre ose katër automjete dhe u ndal plotësisht. Policia arrestoi tre persona, ndërsa një i katërt është në kërkim./abcnews.al


