Ndërkohë, mediat libaneze raportojnë për sulme izraelite në jug të vendit dhe në Luginën lindore të Bekaa-s, ku në qytetin Choukine janë vrarë tre persona.
Hezbollah, i cili nga ana e tij akuzon Izraelin për shkelje të armëpushimit, ka deklaruar se po përballet me forcat izraelite në veri të lumit Litani, rreth 30 kilometra nga kufiri.
Ky përshkallëzim vjen një ditë pasi kryeministri izraelit njoftoi zgjerimin e operacioneve tokësore, pas sulmeve me dronë nga Hezbollah ndaj trupave izraelite në jug të Libanit dhe civilëve në veri të Izraelit.
Situata rrezikon të prishë bisedimet që synojnë t’i japin fund konfliktit mes SHBA-ve, Izraelit dhe Iranit. Irani këmbëngul që çdo marrëveshje duhet të përfshijë edhe Libanin, ndërsa Izraeli deklaron se ruan të drejtën të vazhdojë operacionet kundër Hezbollahut.
Libani u përfshi në luftë më 2 mars, kur Hezbollah lëshoi raketa drejt Izraelit në shenjë hakmarrjeje për një sulm izraelit që, sipas raportimeve, vrau liderin suprem të Iranit. Izraeli u përgjigj me sulme ajrore dhe më pas me një ndërhyrje tokësore.
Që prej fillimit të armëpushimit më 16 prill, të dyja palët kanë vazhduar shkëmbimet e zjarrit, pavarësisht marrëveshjes së ndërmjetësuar.
Sipas ministrisë së Shëndetësisë në Liban, të paktën 3 mijë e 213 persona janë vrarë që nga fillimi i luftës, ndërsa Izraeli raporton 23 ushtarë dhe katër civilë të vrarë në të njëjtën periudhë.