Ishte fitimtar, por preferoi largimin. Naxhi Shensoi nuk do të jetë më trajner i Laçit, edhe pse pati meritë të madhe që u sigurua kthimi në Superligë vetëm një vit pas rënies, madje duke marrë edhe titullin.
Tekniku nga Prizreni e ka lajmëruar vetë largimin, duke mos dhënë arsye për këtë vendim, por vetëm duke njoftuar se nuk do të vazhdojë më në stol
Urimi i vetëm i tij ishte që gjithçka të shkojë mirë për të dyja palët. Nën udhëheqjen e specialistit 67-vjeçar, Laçi e mbylli sezonin pa asnjë humbje, duke arritur 19 fitore e 5 barazime.
Në javën e parafundit, kurbinasit mundën fillimisht rivalin për vendin e dytë, Pogradecin, ndërsa në fund realizuan mrekullinë duke fituar ndaj Skënderbeut madje në Korçë, e duke siguruar titullin.
Ndoshta, prizrenasi që I thotë vetes turçeli ka menduar se do të ishte më mirë të largohej si kampion, sesa të ishte në stol në një sezon të ardhshëm që paralajmërohet jo I sigurt e ndoshta I vështirë.
Nga skuadra besohet se do të largohen disa nga lojtarët kryesorë, që patën meritën më të madhe për suksesin në Kategorinë e Parë, e kjo mund ta ketë bërë Shensoin të dyshojë nëse do të mundej t’i përsëriste këto rezultate edhe në elitën e futbollit shqiptar./abcnews.al


