Shërbimi meteorologjik Severe Weather Europe ka paralajmëruar se mbi pjesën më të madhe të Evropës po formohet një fenomen i njohur si “kupolë nxehtësie”, i cili pritet të sjellë temperatura jashtëzakonisht të larta për këtë periudhë të vitit.
Sipas parashikimeve, temperaturat në shumë rajone do të rriten deri në 15 gradë Celsius mbi mesataren shumëvjeçare të fundmajit. Në Spanjë dhe Portugali priten temperatura nga 35 deri në 39 gradë Celsius.
Masa e ngrohtë ajrore nga Afrika Veriore do të përhapet gradualisht drejt veriut dhe lindjes së kontinentit, duke përfshirë Mbretëria e Bashkuar, Francë dhe pjesë të Evropës Qendrore, ku temperaturat pritet të arrijnë nga 25 deri në 29 gradë Celsius.
Ekspertët shpjegojnë se “kupola e nxehtësisë” krijohet kur ajri i nxehtë mbetet i bllokuar për një kohë të gjatë mbi një zonë të caktuar, nën ndikimin e një sistemi të fuqishëm me presion të lartë atmosferik, i njohur si anticiklon.
Ky fenomen shoqërohet me mot të kthjellët, rrezatim të fortë diellor dhe mungesë reshjesh, duke favorizuar rritjen e temperaturave në nivele ekstreme.
Meteorologët paralajmërojnë se disa rajone të Evropës mund të përjetojnë ditët e para të vërteta të nxehta të vitit 2026, ndërsa shqetësimet për valët e të nxehtit dhe ndryshimet klimatike vijojnë të rriten.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!