Nga një copëz argjile, lind një vepër arti, si në rastin e kësaj lahute. Trashëgiminë kulturore, Betina Sharavolli e përcjell përmes stolive të punuara me dorë. Realizimi i kësaj spile i ka marrë rreth dy ditë kohë.
“Modelohet me dorë me argjilë, më pas e pjekim, kalon në limim, më pas ndërtohet koka e dhisë, piqet sërish dhe në fund vjen pikturimi dhe ngjitja e aksesorëve.”
Artizania ka përfunduar Akademinë e Arteve për pikturë kavaleti dhe mësuesi, por pasioni i saj është arti në miniaturë.“Miniatura më ka tërhequr për detajet, tregon si një objekt kaq i vogël mund të tregojë kaq shumë. Për ta lidhur me traditën është një mënyrë për ta sjellë kujtesën dhe identitetin shqiptar në mediumin e miniaturës, për ta modernizuar.”, nënvizoi ajo.
Telajot e saj janë stolitë që ajo vetë krijon. Më e madhja është 7 cm, ndërsa më e vogla vetëm 2 cm.
“Kjo është një punë që kërkon precizion, teknikë në mënyrën si mbahet peneli apo si përzihet boja. Ka momente kur muskujt mbistimulohen, lodhen dhe nuk mund të vazhdosh më.”, tha ajo.
Është ndryshe të punosh në një telajo të madhe dhe krejt ndryshe të përziesh bojërat në milimetra.
E nisi si pasion.
“Kam rreth tetë vjet… mblidhja gurë, i koleksionoja, i pikturoja.”, shtoi artistja.
Dhe më pas e ktheu në biznes.
“Njerëzit kanë filluar ta vlerësojnë artizanatin.”, u shpreh Sharavolli.
Në një kohë kur produktet industriale dominojnë tregun, punimet artistike të realizuara me dorë mbeten një mënyrë për të ruajtur origjinalitetin dhe emocionin njerëzor. Përmes stolive, Betina thotë se synon të sjellë traditën në një tjetër dimension.
“E pashë të nevojshme të sillja diçka të re, kulturën në një version më modern; ta ruash traditën në një mënyrë tjetër… ta ruash dhe ta veshësh.”, tha ajo/ abcnews.al


