Elseid Hysaj, që prej verës është vënë në diskutim te Napoli. Mbrojtësi shkodran nuk e ka nënshkruar kontratën e re me klubin italian dhe shanset që të largohet para verës së vitit 2021 (atëherë i mbaron kontrata) janë të mëdha.
Madje mund të ndodhë që Napoli ta shesë që në muajin janar. Menaxheri i tij, Mario Giuffredi, thuhet se ka në plan të mbajë një takim me trajneri Gennaro Gattuso. Ai dëshiron të dijë planet e tij për Hysajn, për të marrë një vendim përfundimtar.
Nëse ish-mesfushori nuk e sheh shkodranin pjesë të rëndësishme të skuadrës dhe nuk garanton se do të ketë hapësira, atëherë Giuffredi do të vihet në lëvizje për ta mbyllur transferimin e Hysajt që në janar.
Sikurse dihet, klubi i Romës është më i interesuari për shërbimet e mbrojtësit të djathtë të kombëtares shqiptare. Në skenë së fundmi ka dalë sërish Juventusi, i drejtuar nga trajneri Mauricio Sarri, me të cilin Hysaj ka hedhur hapat më të rëndësishëm në karrierë. Thuhet se shkodrani mund të këmbehet me Mattia De Sciglio. /abcnews.al