Shqipëria nuk humb kohë. Me miratimin e raportit të ndërmjetëm Ibar, Kryeministri Rama i ftuar në Univeristetin e Kombeve të Bashkuara në Tokio, tha se mezi pret të ulet të martën në konferencën endërqeveritare me BE për të hyrë në fazën më sfiduese, mbylljen e grupkapitujve të negociatave.
“Shqipëria sot është më afër se kurrë me BE-në. Nuk e kemi parë kurrë të jetë kaq konkrete e reale në asnjë moment të historisë tonë moderne. Kemi hyrë në fazën vendimtare të rrugëtimit tonë në BE dhe javën e ardhshme do të kemi një konferencë kyçe ndërqeveritare me BE-në, që i jep fill një faze të re të mbylljes së kapitujve dhe mbylljes së negociatave brenda një viti e gjysmë”
Rama paralajmëron se rruga deri në 2030 ka ende shumë sfida, por për Shqipërinë nuk ka plan B, vetëm anëtarësimi në BE.
“Rruga përpara mbetet shumë kërkuese, tejet sfiduese, por kurrë nuk kemi qenë më të vendosur dhe kurrë madje as kemi imagjinuar e jo më të mendojmë një plan B përveç Bashkimit Europian, sepse jemi të bindur që nuk ka plan B përkundrejt lirisë, nuk ka plan B kundrejt shtetit të së drejtës dhe nuk ka plan B kundrejt demokracisë.”
Po ashtu, për Shqipërinë, nuk ka plan B as për NATO.
“Jemi një aleat i përkushtuar i NATO-s. Jemi thellësisht të lidhur me marrëdhënien transatlantike që ka garantuar lirinë e stabilitetin e Europës për breza të tërë, sepse edhe pse Bashkimi Europian është destinacioni ynë, marrëdhënia transatlantike është spiranca mbi të cilën mbështetet kjo marrëdhënie.”
Nga Koreja e Veriut të Europës, në vend kandidat për në Bashkimin Europian. Kryeministri Rama i shpjegoi audiencës japoneze transformimin e Shqipërisë në 36 vite, ndërsa shtoi se Japonia është një shembull për Shqipërinë duke ndihmuar për integrimin në BE.
“Në disa mënyra, Japonia është bërë një partner i tërthortë, por i rëndësishëm në rrugëtimin evropian të Shqipërisë, sepse integrimi evropian nuk ka të bëjë vetëm me negocimin e kapitujve dhe transferimin nga atje në vendin tonë të korpusit ligjor europian, por ka të bëjë me ndërtimin e institucioneve për të rritur standardet, qëndresën; ka të bëjë me zhvillimin e një kulture ekselence dhe të gjitha këto, janë fusha ku Japonia, mbështetja e saj, është shumë e vlefshme.”


