Ebola po del jashtë kontrollit. Numri i infektimeve dhe vdekjeve nga virusi i rrezikshëm është rritur me ritme të shpejta në Republikën Demokratike të Kongos. Ministria e Shëndetësisë raporton deri më tani 671 raste të dyshuara dhe 160 viktima që besohet se kanë humbur jetën si pasojë e virusit.
Organizata Botërore e Shëndetësisë, e cila shpalli emergjencë ndërkombëtare, kishte raportuar të mërkurën afro 600 raste të dyshuara dhe 130 viktima të lidhura me virusin. Numri i fataliteteve është rritur me 30 raste të humbjeve të jetës në vetëm dy ditë, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë ka paralajmëruar se numri i infektimeve mund të jetë shumë më i lartë, pasi jo të gjitha rastet raportohen nga autoritetet lokale.
Në Uganda, Ministria e Shëndetësisë deklaroi se nuk janë regjistruar raste të reja, përveç dy shtetasve nga Republika Demokratike e Kongos. Njëri prej pacientëve ka ndërruar jetë, ndërsa pacienti tjetër rezultoi negativ ndaj virusit dhe vazhdon trajtimin mjekësor.
Sipas Qendrës Afrikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, shpërthimi aktual i epidemisë nisi rreth dy muaj më parë në provincën verilindore Ituri, pranë kufirit me Ugandën dhe Sudanin e Jugut. Kjo konsiderohet epidemia e 17-të e regjistruar e Ebolës në vend që prej vitit 1976. Epidemia lidhet me variantin e rrallë Bundibugyo të virusit Ebola, për të cilin aktualisht nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime specifike, duke e bërë shumë të vështirë frenimin e përhapjes së tij. Virusi Ebola, i njohur për shkallën e lartë të transmetimit dhe vdekshmërisë, përhapet përmes kontaktit të ngushtë me persona të infektuar ose me lëngje trupore.
Mbi 11 mijë persona humbën jetën gjatë epidemisë së Ebolës në vitet 2014-2015, e cila goditi rëndë Afrikën Perëndimore.


