Të duket sikur ka qenë një epokë krejt tjetër. A thua se ky trofe i madh i Championsit, siç quhej atëherë i Kupës së Kampionëve, ishte fituar para Erës së Re.
Aston Vila dikur ishte një skuadër kaq shumë krenare, kampione e Anglisë dhe e Europës, dhe tifozët ndoshta nuk e mendonin se do të duhej të prisnin 44 vjet për një rikthim të madh.
Po ashtu, që do të duhej të kalonin 30 vjet që nga trofeu I fundit.
Nën drejtimin e trajnerit bask, Unai Emeri, të mbiquajturit “Vilans” fituan Ligën e Europës, madje në një mënyrë triumfale në stadiumin e Beshiktashit në Stamboll.
Rezultati 3-0 flet vetë me golat e shënuar nga Tilemans e Buendia në pjesën e parë dhe nga Roxhers pas pushimit.
Në stadium ishin 9 nga yjet e skuadrës kampione të kontinentit të vitit 1982.
Në tribunën VIP ishte edhe Princi Uilliam, që njihet si tifoz I Aston Vilës.
Si homazh për heronjtë e vitit 1982, futbollistët e sotëm kishin veshur fanelat e bardha.
Anglezët mund të kishin fituar edhe më thellë, pasi Onana goditi shtyllën dhe Buendia iu afrua golit, duke u shpallur nga BBC si lojtari më I mirë I finales.
Meritë e veçantë e trajnerit Emeri që ka fituar 5 Liga të Europës, tre me Seviljen, një me Vijarrealin dhe një tani me ekipin nga Birmingemi.
Në total, basku ka 12 trofe në karrierë, përfshi titullin kampion në Francë me Paris SG.
Çfarë do të thotë ky trofe për Aston Vilën?
Një rikthim pas 30 viteve që kur u fitua Kupa e Ligës në Angli, dhe pjesëmarrje në Champions sezonin që vjen, si dhe me objektiv që të fitojë Superkupën e Europës ndaj Paris SG ose Arsenalit.



