Strukturat e lëvizjes Vetëvendosje i kanë cilësuar si më të mirat zgjedhjet e së dielës që risollën në krye të partisë Albin Kurtin. Por anëtarësia e këtij subjekti politik, në reagimin e saj lë të kuptohet se procesi ka rënë pre e manipulimeve.
Komisioni zgjedhor i lëvizjes Vetëvendosje ka deklaruar të hënën se procesi i një dite më parë për zgjedhjen e kryetarit të partisë ka qenë më i miri ndër vite. Në një konferencë për shtyp, përfaqësuesi i këtij komisioni, Adnan Rustemi ka thënë se detajet që kanë dalë nga ky proces nuk lënë vend për keqkuptime.
“Rezultatet paraprake u publikuan dhe Albin Kurti mori mbi 98% të votave. Kemi analizuar të dhënat dhe numri total i anëtarëve tanë është thuajse 60 për qind, ndërsa numri i atyre që kanë votuar është rritur me 100 për qind. Këto shifra shënojnë një rekord të pjesëmarrjes në zgjedhjet e brendshme”, ka thënë Rustemi.
Ai ka treguar se nga të gjithë aktivistët me të drejtë vote, 31 mijë e 350 anëtarë, ditën e djeshme në votime dolën vetëm 10 mijë e 606 anëtarë. Por për ish-kryetarin e komisionit zgjedhor, Nol Nushi, procesi i së dielës nuk ka shkuar më së miri dhe shifrat e publikuara janë shqetësuese.
“Ishte një proces që nuk shkoi në mënyrën më të mirë, sidomos në aspektin e transparencës, që është dhe kryefjalë e zotit Kurti”, ka thënë Nushi.
Ndonëse ka refuzuar të flasë në emër anëtarëve që nuk morën pjesë në proces, Nushi ka nënvizuar se pakënaqësitë në radhët e Vetëvendosjes janë të mëdha.
“Nuk mund të them se ata që nuk kanë dalë në votime janë kundër zotit Kurti. Por problemet në Vetëvendosje e kanë zhgënjyer anëtarësinë. Anëtarët nuk kanë qëndruar të verbër përballë problemeve”, ka thënë Nushi.