Kriza shëndetësore që shpërtheu në fillim të vitit 2020 nuk solli vetëm pasoja ekonomike dhe sociale, por edhe një krizë të thellë vlerash, duke ndryshuar mënyrën se si njerëzit e shohin jetën dhe punën e tyre.
Gjithnjë e më shumë punonjës po kërkojnë një karrierë që u ofron kënaqësi, fleksibilitet dhe balancë mes jetës personale dhe profesionale.
Ky ndryshim ka sjellë fenomenin e njohur si “Dorëheqja e Madhe”.
Ky trend ekonomik lidhet me largimin vullnetar të punonjësve nga vendet e tyre të punës në shkallë masive.
Sipas një studimi të kryer nga McKinsey & Company, rreth 40 milionë amerikanë kanë dhënë dorëheqjen që nga prilli i vitit 2021, ndërsa 40% e punonjësve në SHBA, Kanada, Australi, Britani dhe Singapor kanë deklaruar se synojnë të lënë punën e tyre brenda gjashtë muajve të ardhshëm.
Fenomeni ka nxjerrë në pah një paradoks të madh në tregun e punës: kompanitë kanë vështirësi të gjejnë punonjës të kualifikuar, por edhe kur i gjejnë, nuk arrijnë t’i mbajnë.
Ekspertët theksojnë se kjo situatë nuk nisi me pandeminë, por ajo vetëm sa e përshpejtoi dhe e bëri më të dukshme.
Arsyet që shtyjnë punonjësit të largohen janë të shumta. Një ndër faktorët kryesorë janë pagat e ulëta, të cilat shpesh nuk mbulojnë nevojat bazë të jetesës.
Po ashtu, shumë punonjës përballen me mbingarkesë përgjegjësish, lodhje të tepërt, stres dhe mungesë vlerësimi nga drejtuesit e tyre.
Një tjetër problem i përhapur është mungesa e humanitetit në vendin e punës. Punonjësit kërkojnë të trajtohen si individë me nevoja, emocione dhe aspirata, jo si “makineri prodhimi”.
Kur kompanitë nuk ofrojnë mbështetje, respekt apo stabilitet, shumë profesionistë zgjedhin të largohen. Ekspertët vënë në dukje edhe faktorë të tjerë si ngritja në detyrë e punonjësve jokompetentë, mungesa e mundësive për zhvillim profesional, ambientet toksike të punës dhe mospërputhja mes kulturës së kompanisë dhe vlerave personale të individit.
Megjithatë, specialistët theksojnë se situata nuk është e pakthyeshme. Kompanitë që investojnë në mirëqenien e stafit, krijojnë ambiente të shëndetshme pune dhe vlerësojnë kontributin e punonjësve kanë më shumë mundësi të mbajnë profesionistët e tyre më të mirë.
Në një treg pune që po ndryshon me ritme të shpejta, duket se punonjësit nuk kërkojnë më vetëm një pagë, por edhe respekt, zhvillim dhe cilësi jete.


