Gjykata Themelore në Prishtinë pas aprovimit të marrëveshjes për pranim fajësie, e ka dënuar me 6 vjet burgim dhe 2 mijë euro gjobë ish-togerin e Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiç, lidhur me akuzën për spiunazh dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas aktgjykimi të shpallur nga gjykatësi Kushtrim Shyti, Jevtiç për veprën penale “Spiunazhi” u dënua me 6 vjet burgim, kurse për armëmbajtje pa leje 2 mijë euro gjobë. Ndaj tij, u shpall dënim unik në kohëzgjatje prej 6 vitesh dhe gjobë me 2 mijë euro, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Të njëjtit i vazhdohet masa e paraburgimit. Ndërkaq, u urdhërua shkatërrimi i armës së gjetur dhe të gjitha gjësendet e sekuestruara konfiskohen në pajtim me ligjet në fuqi.
Jevtiç iu shqiptua edhe dënim plotësues- ndalimi i ushtrimit të funksioneve publike në administratë publike në kohëzgjatje prej 5 vitesh pas mbajtjes së dënimit me burgim, raportojnë mediat në Kosovë.
Prezent në shpallje ishte prokurori special, Bekim Kodraliu dhe mbrojtësi i Jevtiç, avokati Millosh Nikoliç. Ndaj këtij vendimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh.


