Sondazh

Mendoni se po zbatohet si duhet vendimi i Gjykatës së Lartë për rishikimin e praktikës së paraburgimit?

Loading ... Loading ...
 

Shkupi “kuq e zi”, protestë për shqipen/ Krisafi: Partia shqiptare ka faj gjigand, duhet të largohet nga qeveria e RMV

schedule18:33 - 18 Maj, 2026

schedule 18:33 - 18 Maj, 2026

MAQEDONI E VERIUT- Shkupi u vesh kuq e zi në protestën e studentëve shqiptarë që kërkojnë mbrojtjen e gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut. Mijëra studentë e qytetarë dolën në rrugë me flamujt kombëtarë dhe pankarta që kërkojnë të drejtën e përdorimit të shqipes në shkolla e universitete, siç e përcakton edhe Kushtetuta.

Studentët kërkojnë edhe dorëheqjen e ministrit të Drejtësisë, që ka kundërshtuar kërkesën e tyre për të dhënë provimet në shqip.

Eksperti për çështjet ndërkombëtare, Ledion Krisafi, i ftuar në “Tirana Live”, komentoi protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, ndërsa theksoi se do të dëshironte të shihte më shumë pjesëmarrje në mbështetje të kauzës së tyre.



Sipas tij, situata në vend është përkeqësuar gjatë një viti qeverisjeje të VMRO-DPMNE-së, e cila sipas tij manifeston një qasje antishqiptare dhe nacionaliste.

Krisafi deklaroi se protesta nuk duhet të përfshinte vetëm studentët, por edhe komunitetin më të gjerë shqiptar në RMV, pasi qeveria e VMRO-DPMNE se po përjashton shqiptarët nga bashkëqeverisja dhe po tenton të zhbëjë përdorimin e gjuhës shqipe.

Ai shtoi se partia shqiptare “VLEN”, e cila është pjesë e qeverisë duhet të ishte më të zëshme përballë një shqetësimi të tillë. Madje sipas tij, VLEN do duhej të largohej nga koalicioni qeverisës nëse kërkesat e shqiptarëve nuk merren parasysh.

Eksperti paralajmëroi se protesta të tilla mund të çojnë në përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, pasi çështja e gjuhës shqipe është thelbësore për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut. Sipas tij, zgjidhja mund të vijë përmes një vendimi qeveritar që do të lejonte zhvillimin e provimeve në gjuhën shqipe.

“Studentët janë një pjesë e gjithë kësaj që është duke ndodhur në një vit e ca të VMRO-DPMNE, një qasje e cila është antishqiptare dhe nacionaliste. Ishte një sjellje që ishte harruar, as në kohën e Nikolla Gruevskit nuk ka qenë kështu.

Duhet të kishin dalë jo vetëm studentët, por dhe të tjerë në Maqedoninë e Veriut. Protesta duhet të ishte më e madhe me pjesëmarrje nga shumë komunitete shqiptare në RMV. Qeveria e RMV po përjashton shqiptarët nga bashkëqeverisja.

Pjesa e gjuhës është një çështje themelore. Me ardhjen e VMRO-DPMNE, ka pasur një pakësim të shqiptarëve në qeverisje. Duke qenë se janë pjesë e qeverisë, duhet të ishin më të zëshëm. Dhe vetë ata janë bërë një shtojcë e VMRO. Në një rast të tillë mund ta kishin lënë qeverinë. Janë pasivë. Fuqia e tyre në këtë rast është të largohen nga qeveria. I kanë instrumentet në dorë.

Në çdo rast, VMRO-DPMNE po përpiqet të zhbëjë gjuhën shqipe. Protesta të tilla mund të çojnë në përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit, sepse çështja e ngritur është shumë thelbësore.

Barra u mbetet partive shqiptare, që janë pjesë e koalicionit në qeveri, të cilat duhet të ishin më të zëshme. Studentët shqiptarë po bëjnë pjesën e tyre, faktori shqiptar nuk po e bën. Qeveria e Kosovës ka një qasje jonormale për çështjen. Zgjidhje ligjore mund të ketë në raste të tilla. Qeveria fare mirë mund të marrë një vendim që provimi të bëhet në gjuhën shqipe. Ajo që mund ta bëjë qeverinë të shkojë në këtë drejtim është frika e përplasjeve.

Qasja e tyre është e qëllimtë për të krijuar çarje në Maqedoninë e Veriut. Partia shqiptare që është në qeveri ka një faj gjigand. Ata duhet të kishin qenë në shesh bashkë me studentët dhe duhet të bënin presion ndaj qeverisë së Maqedonisë së Veriut”, tha Krisafi./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!