Sondazh

Mendoni se po zbatohet si duhet vendimi i Gjykatës së Lartë për rishikimin e praktikës së paraburgimit?

Loading ... Loading ...
 

“Engjëlli i Vdekjes” i Aushvic/ Zvicra pritet të hapë dosjet sekrete për nazistin Josef Mengele, historianët kërkojnë transparencë

schedule11:24 - 16 Maj, 2026

schedule 11:24 - 16 Maj, 2026

Shërbimi Federal i Inteligjencës Zvicerane ka njoftuar se do të hapë pas dekadash sekreti dosjet e vulosura që lidhen me kriminelin nazist të luftës Josef Mengele, i njohur si “Engjëlli i Vdekjes” i Aushvic.

Megjithatë, autoritetet nuk kanë përcaktuar ende një datë për publikimin e plotë të dokumenteve.

Vendimi është përshëndetur nga historianë dhe studiues, të cilët prej vitesh kërkojnë qasje në këto arkiva për të hedhur dritë mbi lëvizjet dhe aktivitetin e mundshëm të Mengeles pas Luftës së Dytë Botërore, shkruan BBC.



Mengele ishte mjek në njësinë naziste Waffen-SS dhe shërbeu në kampin e shfarosjes së Auschwitzit, ku ishte përgjegjës për përzgjedhjen e të burgosurve që dërgoheshin në dhomat e gazit dhe për eksperimente mjekësore mbi të burgosurit, kryesisht fëmijë dhe binjakë.

Rreth 1.1 milion njerëz u vranë në Auschwitz, shumica hebrenj.

Pas luftës, ai arriti të arratisej nga Evropa dhe sipas të dhënave historike, përdori dokumente udhëtimi të Kryqi i Kuq të lëshuara në Gjenova për të udhëtuar drejt Amerikës së Jugut, ku jetoi kryesisht në Argjentinë, Paraguaj dhe Brazil.

Megjithatë, për dekada kanë qarkulluar dyshime se ai mund të ketë vizituar fshehurazi Zvicrën edhe pas arratisjes, përfshirë pretendime mbi lëvizje të dyshimta dhe mbikëqyrje të mundshme nga autoritetet zvicerane në fillim të viteve 1960.

Sipas disa studiuesve, dosjet e klasifikuara mund të mos zbulojnë drejtpërdrejt lëvizjet e Mengeles, por informacione mbi bashkëpunimin mes shërbimeve të inteligjencës europiane dhe gjuetinë e kriminelëve nazistë, përfshirë edhe rolin e mundshëm të shërbimeve si Mossad.

Josef Mengele vdiq në Brazil në vitin 1979 dhe identiteti i tij u konfirmua përfundimisht në vitin 1992 përmes analizave të ADN-së.

Megjithatë, misteri rreth lëvizjeve të tij pas luftës dhe mundësisë së kontakteve të fshehta me Evropën mbetet ende i pazgjidhur.

Hapja e arkivave pritet të hedhë dritë mbi një nga çështjet më të debatueshme të historisë së pasluftës, ndërsa studiuesit paralajmërojnë se dokumentet mund të publikohen me redaktime të pjesshme për arsye sigurie dhe privatësie.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!