Socialistët dhe demokratët janë bashkuar në përmbajtjen e projektrezolutës për procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Analisti Frrok Çupi tha se kërkesa e Europës për rezolutë parlamentare në Shqipëri tregon një hap të rëndësishëm në procesin e integrimit europian dhe përmbushjen e kritereve të kërkuara. Ai u shpreh se ky zhvillim dëshmon një ritëm të avancuar të vendit drejt Bashkimit Europian dhe përmbylljen e disa çështjeve të rëndësishme të procesit. Me votimin e sotem, Çupi tha se opozita ka fituar të drejtën për të folur lirisht, por ka humbur disa “karta politike” në raport me diskursin ndërkombëtar për Shqipërinë.
“Fakti që Europa kërkoi rezolutë parlamentare në Shqipëri do të thotë që kërkohet dhe ky hap sepse e pyet popullin shqiptar. Parlamenti e tha, u plotësua ky kriter, që është dëshmi e një ritmi dhe një hapi të rëndësishëm. Do të thotë që pastaj është hapi ndër më të fundit; Shqipërisë nuk i bëhet më asnjë pyetje për Bashkimin Europian, edhe kjo gjë u zgjidh, mund të ishte një proces me defekte të mëdha, disa ishin grindur në parlament dhe s’do kishin votuar.
Opozita sot, siç fitoi disa karta edhe fitoi, humbi kartën për të thënë që nuk duan BE, humbi kartën për të thënë në Bruksel që Shqipëria është narkoshtet, por fitoi kartën për të folur në mënyrë të lirë. Është kartë e rëndësishme për kriteret e IBAR, është një arsyetim i madh i gjithë demokracisë.”


