Tiranë- Analisti Geron Kamberi në një intervistë në “NewsLine” në ABC News foli për draftin e miratuar nga PS dhe PD në Komisionin e Jashtëm për integrimin.
Gjatë intervistës, Kamberi u shpreh se BE është pro anëtarësimit të Shqipërisë. Ai tha se sa i përket filozofisë së integrimit ka qenë unik nga palët si PS e PD, por dallimi ka qenë për akuzat që janë bërë për mënyrën se si po ecet drejt BE.
“Besoj që pas kësaj rezolute është edhe presioni i BE. Bashkimit Europian nuk do ti pëlqente që çështja të krijonte ngërçin. Për Malin e Zi gjasat duken se janë shumë afër përmbushjes së këtij procesi, ndërsa Shqipëria i duhet ende të kapërcejë disa faza. Të mos harrojmë që janë 6 grup-kapituj dhe ajo që është “thembra e akilit” është grup-kapitulli 1. Metodologjia e re e zgjerimit të BE e ka rritur rolin dhe peshën. Të theksojmë se Shqipëria po hyn në një treg të përbashkët europian dhe duhet të ketë rregulla të përbashkëta e të përcaktuara. Po ashtu biznesi shqiptarë apo vetë shoqërua i duhet të kalojë nëpër një proces transformimi, një ndërveprim në një nivel krejt tjetër të shoqërisë shqiptare, në çdo fushë dhe në çdo sektor. Çdo hallkë që përballemi në jetën tonë të përditshme merr vëmendje sepse do të jenë të vendosura në një tjetër standard”, u shpreh ai.
Gjithashtu gjatë intervistës, tha se procesi i negociatave ka ecur më së mirë dhe se sipas tij nuk ka bllokim të negociatave.
“Procesi është edhe politik, çdo hallkë e procesit vlerësohet nga vende anëtarë të strukturave të Komisionit Evropian. Ndërsa grup-kapitulli 1 është më me rëndësi sepse ka një përkufizim që quhet themelohet, bëhet fjalë për themelin, dhe janë vënë disa piketa të ndërmjetme. Pra duhet plotësuar ato detyra që ne të kalojmë në fazën e ndërmjetme. Nuk ka bllokim sepse në grup-kapituj të tjerë po zhvillohen negociata. Rrethanat përputhen dhe ka një presion pozitiv nga ana e BE për të pasur një histori suksesi në Ballkan dhe kjo përputhet edhe me synimet që ka qeveria shqiptare, por edhe me dëshirën e qytetarëve. Ajo që vlen të theksohet është fakti që të mos ketë surpriza të pakëndshme gjatë procesit ”, tha mes të tjerash Kamberi.
/abcnews.al/


