Policia e Sarandës ka goditur një rast të ndërtimit të paligjshëm në një hapësirë plazhi në lagjen nr. 1 të qytetit, ndërsa janë arrestuar në flagrancë 8 persona dhe është shpallur në kërkim pronarja e dyshuar e hapësirës ku po kryheshin punimet.
Sipas Policisë, gjatë kontrolleve dhe verifikimeve në terren, të përqendruara kryesisht në zonat bregdetare për parandalimin dhe goditjen e ndërtimeve pa leje, u konstatua se në një objekt të përbërë nga disa struktura, një pjesë e të cilave të ndërtuara edhe në ujë, po kryheshin punime ndërtimi të paligjshme.
Pas kryerjes së veprimeve procedurale, Policia ka njoftuar Inspektoratin Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), Inspektoratin e Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Policinë Bashkiake, të cilat po vijojnë aksionin për prishjen e ndërtimeve pa leje.


