Pas 7 muajsh në proces gjyqësor, Gjykata e Posacme shpalli vendimin për një grup kriminal i cili trafikoi shtetas shqiptarë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në këmbim të shumave të parave në vlerën e 40-45 mijë dollarë.
Drejtuesi i këtij grupi Luc Melaj u gjet fajtor për veprat penale “Grup i Strukturuar kriminal”, “falsifikim dokumentash” , “dhënie ndihme për kalim kufiri në mënyrë të paligjshëm” dhe “armëmbajtje pa leje” dhe u dënua me 12 vite burg.
Për shkak të gjykimit me procedurën e shkurtuar, Melaj përfitoi ulje dënimi me 4 vite, duke u dënuar përfundimisht me 8 vjet burg.
Dy anëtarët e tjerë të grupit Emanuel Melaj dhe Gëzim Camaj u dënuan me 6 vite burg dhe përfiton ulje dënimi me 4 vite për “dhënie ndihme për kalim të paligjshëm”.
Për të dy ata, treshja e gjyqtarëve e përbërë nga Besmir Stroka, Flojera Davidhi dhe Elsa Ulliri vendosën pezullimin e ekzekutimit të dënimit dhe vendosjen e tyre në shërbim prove për një periudhë 3 vjeccare.
Grupi kriminal ndihmoi 25 shtetas shqiptarë të hynin në mënyrë të paligjshme në SHBA , duke ndjekur itinerarin Shqipëri-Spanjë-Mekaikë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ata i pajisnin shqiptarët me dokumenta të falsifikuara duke u marrë secilit pagesa prej 40-45 mijë dollarë. Shqiptarët sipas organit të akuzës, ishin nga veriu i Shqipërisë, konkretisht nga Malësia e Madhe, Shkodra, Lezha, Tropoja.
Hetimet provuan se Luc Melaj e Gëzim Camaj mundësonin kalimin e qytetarëve gjatë hyrjeve dhe daljeve në Mal të Zi nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara kryesisht franceze dhe i gjithë aktiviteti kriminal i kryer prej tyre ishte i mirëorganizuar dhe i ndarë me role konkrete.
Gjykata e Posaccme në dispozitivin e shpallur, u shpreh se nëse vendimi do marrë formë të prerë në Apel, pasuritë e konfiskuara më herët ndaj anëtarëve te grupit kriminal do të kalojnë në favor të shtetit.


