Sondazh

Mendoni se po zbatohet si duhet vendimi i Gjykatës së Lartë për rishikimin e praktikës së paraburgimit?

Loading ... Loading ...
 

Akuzohet si agjente e Kinës, jep dorëheqjen kryebashkiakja në SHBA

schedule18:11 - 12 Maj, 2026

schedule 18:11 - 12 Maj, 2026

Ish-kryebashkiakja e qytetit të Arcadias, Eileen Wang, ka dhënë dorëheqjen pasi Departamenti Amerikan i Drejtësisë e akuzoi se kishte vepruar ilegalisht në interes të qeverisë kineze.

Sipas autoriteteve amerikane, Wang ka pranuar të shpallet fajtore për një akuzë penale që lidhet me bashkëpunimin e fshehtë me zyrtarë kinezë, ndërsa rrezikon deri në 10 vite burg.

Prokurorët amerikanë deklaruan se Wang kishte marrë udhëzime direkte nga përfaqësues të qeverisë kineze dhe kishte shpërndarë materiale propagandistike pro-Pekinit pa e deklaruar këtë aktivitet tek autoritetet amerikane, siç kërkohet nga ligji. Hetimet zbuluan se ajo publikonte artikuj dhe materiale në favor të Kinës përmes një platforme mediatike të quajtur “US News Center”, e cila prezantohej si faqe informative për komunitetin kinezo-amerikan në Arcadia.



Një nga rastet e përmendura nga Departamenti i Drejtësisë lidhej me shpërndarjen e një artikulli që mohonte akuzat për punë të detyruar dhe abuzime ndaj ujgurëve në rajonin kinez të Xinjiangut. Sipas hetuesve, artikulli i ishte dërguar Wang përmes aplikacionit WeChat nga një zyrtar kinez dhe ajo e kishte publikuar menjëherë në platformën mediatike që administronte.

Në një deklaratë për mediat, avokatët e saj thanë se Wang “kërkon ndjesë dhe shpreh keqardhje për gabimet e bëra në jetën personale”, duke shtuar se përkushtimi i saj ndaj komunitetit të Arcadias nuk kishte ndryshuar kurrë.

Nga ana tjetër, autoritetet amerikane e cilësuan rastin si një sukses në luftën kundër ndikimit të huaj në institucionet amerikane. Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë deklaruan se individët që veprojnë fshehurazi për llogari të qeverive të huaja cenojnë demokracinë dhe sigurinë kombëtare të SHBA-ve.

Menaxheri i qytetit të Arcadias deklaroi se akuzat janë serioze dhe shqetësuese, por sqaroi se hetimet nuk kanë zbuluar përfshirje të financave apo proceseve zyrtare të bashkisë në këtë çështje. Sipas tij, aktivitetet për të cilat akuzohet Wang kishin ndodhur para se ajo të betohej si anëtare e këshillit bashkiak në fund të vitit 2022.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!