I duhet edhe një për të barazuar vetveten e sezonit të kaluar. Myrto Uzuni është e qartë se e ka nisur me këmbën e mbarë sezonin në Ligën Profesioniste të futbollit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ja ku shënoi përsëri.
Ishte një gol në stadiumin “Alianc Fild” të Minesotës, në barazimin 2-2 jashtë fushe të ekipit të tij Ostin. Vetë Ostin po kalon një edicion të vështirtë, duke qenë vetëm në vendin e 10-të në Konferencën Perëndimore me 15 skuadra, por për Uzunin viti është shumë I mirë.
Ai ka shënuar radhazi në tri ndeshjet e fundit, pikërisht ndaj rivalëve si Minesota, Sent Luis dhe Hjuston. Gjithsej ka 5 rrjeta e një asist në 11 sfida, pra me më shumë se një kontribut goli për ndeshje, duke qenë në mesataren e tij të karrierës.
Një ndryshim rrënjësor në krahasim me sezonin e kaluar, kur realizoi 6 gola në 27 ndeshje, pra I duhet një goditje në shenjë për ta barazuar këtë nivel, në shumë më pak se gjysmën e paraqitjeve të vjetshme.
Sulmuesi I kombëtares shqiptare njihet si një luftëtar i madh. Ai ia ka dalë të lerë shenjën e tij kudo ku ka shkuar, që nga Kroacia, pastaj në Hungari e më vonë në Spanjë, ku fitoi Këpucën e Artë në Ligën e Dytë me 23 gola në 2022-2023.
Nuk dihet nëse mund të arrijë deri këtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa në moshën 30-vjeçare as nuk ka ndërmend të ndryshojë apo të jetë më pak ambicioz./abcnews.al


