Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio zhvilloi një takim me kryeministrin e Katar, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman al-Thani, ku në fokus ishin kërcënimet dhe siguria në Lindjen e Mesme.
Sipas një deklarate të publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit, dy zyrtarët diskutuan mbështetjen e SHBA-së për mbrojtjen e Katarit dhe rëndësinë e koordinimit për të penguar kërcënimet dhe për të ruajtur stabilitetin në rajon.
Në deklaratë nuk u përmend në mënyrë të drejtpërdrejtë konflikti mes SHBA-Izraelit dhe Iranit. Kryeministri i Katarit, i cili mban gjithashtu postin e ministrit të Jashtëm, u takua më herët në Uashington edhe me zëvendëspresidentin amerikan J.D. Vance.
Katari ka luajtur një rol të rëndësishëm ndërmjetësues për SHBA-në në Lindjen e Mesme, veçanërisht gjatë negociatave për armëpushim në luftën mes Izraelit dhe Hamasit.
Që nga shpërthimi i konfliktit mes SHBA-Izraelit dhe Iran më 28 shkurt, Katari, një aleat i rëndësishëm i Uashingtonit në Gjirin Persik është përballur vazhdimisht me kërcënime dhe sulme nga Irani, sipas raportimeve ndërkombëtare.


