Nga një jetë perfekte sportive, tek përballja brutale me një diagnozë që i ndryshoi gjithçka. Historia e Denis Citozit nuk është thjesht rrëfim i një sëmundjeje, por një betejë e fortë mendore dhe fizike që sfidon çdo parashikim.
Ish-kampioni i notit dhe trajner personal, i përkushtuar prej 14 vitesh ndaj aktivitetit fizik dhe jetesës së shëndetshme, nuk e kishte imagjinuar kurrë se një episod i papritur epilepsie do të zbulonte një “përbindësh” të fshehur në kokën e tij. Pa asnjë simptomë paraprake, pa asnjë shenjë alarmi, diagnoza ishte tronditëse: një tumor 4–5 cm që rrezikonte jetën.
“Isha krejt mirë… nuk pija duhan, nuk konsumoja alkool, bëja sport çdo ditë. Mendoja: çfarë kisha bërë gabim?”, rrëfeu ai në studion e emisionit “Abc e Mëngjesit”. Përgjigjja që i dha vetes më vonë ishte e hidhur: stresi i akumuluar ndër vite.
Jeta e tij kishte marrë një tjetër drejtim në Kuvajt, ku ishte zhvendosur bashkë me bashkëshorten në kërkim të një të ardhmeje më të mirë. Por pikërisht atje, në momentin më të papritur, ndodhi kriza që do të zbulonte gjithçka. Një episod 5-minutësh gjatë të cilti ai nuk arrinte që të fliste dhe nuk kuptonte, ishte një sinjal që nuk mund të injorohej.
Pas analizave dhe rezonancës magnetike, realiteti ishte i pamëshirshëm. Mjekët nuk lanë shumë vend për optimizëm: pak vite jetë ose një jetë e paralizuar. Në atë pikë, beteja nuk ishte vetëm fizike, por mbi të gjitha psikologjike.
Shpresa erdhi nga një neurokirurg serb, i cili mori përsipër një operacion të vështirë dhe të rrezikshëm. Pesë orë në sallën e operacionit që do të vendosnin fatin e tij.
“Para se të hyja në sallë, mendova edhe më të keqen… ndaj i shkrova një letër bashkëshortes. Nëse nuk do të dilja, doja që ajo ta dinte gjithçka”, tregon Denis Citozi.
Operacioni rezultoi i suksesshëm. Por beteja sapo kishte filluar.
Rikuperimi ishte i gjatë dhe i dhimbshëm. Nga një trup atletik, ai arriti në 120 kilogramë. Dhimbja më e madhe nuk ishte fizike, por ajo psikologjike, frika, pasiguria dhe nevoja për të rindërtuar veten nga e para.
Në këtë rrugëtim, një rol vendimtar pati bashkëshortja e tij, Ana, të cilën ai e quan “engjëlli im mbrojtës”. Një moment simbolik mbetet ai kur, pas operacionit, ajo i solli kitarën në spital, një detaj i vogël që u kthye në motivim të madh për rikthim.
Me disiplinë, vullnet dhe besim, Denis Citozi arriti të rikthehej. Sot, tre vite pas diagnozës, ai gëzon një jetë aktive dhe të shëndetshme, duke nisur një kapitull të ri si trajner personal dhe duke promovuar një mesazh të qartë: aktiviteti fizik është çelësi i një jete më të mirë. “Mu duk sikur më ishte dhënë një jetë e dytë… dhe vendosa të mos dorëzohem kurrë.”


