Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, përfundoi hetimet dhe dërgon në gjyq katër persona: Arsuel Curaj, Alma Guraj, Gezim Guraj, Vladimir Jaca, për veprën penale ‘Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale’ me pasoja të rënda, parashikuar nga neni 287/3 i Kodit Penal.
Nga hetimet mbi procedimin penal nr.1280, të vitit 2021 u arrit të provohet se këta të katërt , në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer kontrata (shkëmbime pronash, dhurime dhe shitje) dhe veprime bankare fiktive me qëllim pastrimin e produkteve penale në shumën prej 500 000 (pesëqind mijë) euro, shumë që është sekuestruar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Shkodër.


