Sondazh

Mali i Zi një hap drejt BE. Mendoni që do ta pasojë edhe Shqipëria?

Loading ... Loading ...
 

Turizmi mjekësor në Shqipëri/ Shumë të huaj zgjedhin klinika shqiptare për shërbime dentare

schedule15:52 - 2 Maj, 2026

schedule 15:52 - 2 Maj, 2026

30-vjeçarja nga Italia, Mishel Xingales, erdhi në Shqipëri për studime 6 vite më parë. Së fundmi, ajo tregon se edhe shërbimet dentare ia ka besuar specialistëve shqiptarë.

“Jam Mishel Xingales dhe vij nga Italia. Studioj stomatologji në Shqipëri dhe prej 6 vitesh jetoj mes Shqipërisë dhe Italisë. Shërbimet dentare i kam kryer këtu dhe kam mbetur shumë e kënaqur. Për këtë arsye, edhe familja ime,  motra dhe mamaja i marrin shërbimet dentare në Shqipëri”, tha shtatësja italiane.

Vitet e fundit, Shqipëria nuk po shihet më nga të huajt vetëm si një destinacion turistik, por gjithnjë e më shumë po zgjidhet edhe për shërbime shëndetësore, kryesisht estetike dhe dentare.



“Nga viti në vit vihet re një rritje e numrit të pacientëve të huaj, si dhe një zgjerim i vendeve nga të cilat ata vijnë. Shërbimet më të kërkuara përfshijnë një gamë të gjerë trajtimesh, por më specifiket mbeten ato dentare dhe estetike, si implantologjia, kurorat dhe fasetat. Shpesh këto janë procedura që realizohen në dy faza”, u shpreh mjekja stomatologe, Arlejdi Gjoka.

Sipas specialistëve, por edhe vetë Mishel, besimi ndaj mjekëve shqiptarë shpesh vjen përmes rekomandimeve. Ata thonë se në Shqipëri nuk gjejn vetëm cilësi, por, edhe kosto të përballueshme krahasuar me vendin e tyre.

“Unë u kam besuar sugjerimeve të miqve të mi, të cilët më kanë folur shumë mirë për shërbimet këtu. Ka shumë profesionistë të mirë dhe mbi të gjitha kostot janë shumë më të ulëta krahasuar me Italinë. Kam bërë edhe kërkime në rrjetet sociale dhe kam parë që Shqipëria ka bërë progres të madh vitet e fundit”, shtoi Michelle Zingales.

“Pacientët e kënaqur sjellin pacientë të rinj, promovimi i Shqipërisë në rrjetet sociale. Faktorët janë kostot, ku janë 50-70% më lirë sesa në vendet e tyre. Koha, se për një mbushje dhëmbi apo një intervent duhet të presin muaj të tërë në vendet e tyre”, shton mjekja.

Më besnik mbeten pacientët e vendeve fqinje, por sipas specialistëve nuk mungojnë as ata të vendeve të zhvilluara.

“Mbetemi të befasuar, sepse janë pacientë që vijnë nga vende të zhvilluara sa i takon teknologjisë dhe avancimit mjekësor. Gjermania, Italia, Zvicra e SHBA”, përfundoi mjekja stomatologe.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!