Në ambientet e IEVP Fushë Krujë është evidentuar një rast i tentativës për futjen e një sendi të ndaluar gjatë një kontrolli rutinë ndaj familjarëve që vizitojnë të paraburgosurit.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë kontrollit të çantës së ushqimeve të një shtetaseje e cila kishte shkuar për takim me bashkëshortin e saj të paraburgosur, është gjetur i fshehur një telefon celular tip “iPhone”, i kamufluar brenda një qeske të përgatitur për të shmangur zbulimin gjatë kontrollit.
Menjëherë pas konstatimit të rastit, autoritetet e institucionit morën masa duke pezulluar takimin, duke mbajtur procesverbal për sekuestrimin e sendit dhe duke njoftuar drejtuesit e burgut. Gjithashtu, në vendngjarje u angazhua edhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm për vijimin e veprimeve hetimore.
Paralelisht, janë nisur kontrolle edhe në ambientet ku akomodohet i paraburgosuri për të verifikuar nëse ka sende të tjera të ndaluara.
Njoftimi i plotë;
Në ambientet e IEVP Fushë Krujë, gjatë kontrollit të ushtruar ndaj familjarëve, u evidentua një rast i tentativës për futjen e një sendi të ndaluar në regjimin e brendshëm të institucionit.
Gjatë kontrollit të çantës së ushqimeve të shtetases S. S., e cila kishte ardhur për takim me bashkëshortin e saj, të paraburgosurin u gjet një telefon celular tip “iPhone”, me ngjyrë të zezë, i fshehur në brendësi të një kellefi të kamufluar me ngjyrat e rrobave të sjella, me qëllim shmangien e evidentimit gjatë kontrollit.
Menjëherë u ndërmorën veprimet përkatëse: u pezullua takimi, u mbajt procesverbal për bllokimin e sendit, u njoftuan drejtuesit e institucionit si dhe u vu në dijeni Specialisti i SHKB për vijimin e veprimeve hetimore.
Paralelisht, po ushtrohet kontroll në ambientin ku është i akomoduar i paraburgosuri.
Strukturat e IEVP-së mbeten të angazhuara maksimalisht për garantimin e rendit, sigurisë dhe parandalimin e çdo tentative për futjen e sendeve të ndaluara në institucion.




