Kanë kaluar gati dy vjet dhe skena u përsërit. Këtë herë jo pranë majës së kontinentit kur Berat Gjimshiti ngriti lart trofeun e Ligës së Europës, por gjithsesi titullin e Atalantës për të rinj e ngriti një tjetër kapiten shqiptar.
Ky ishte Gabriel Ramaj, një mbrojtës qendre ashtu si Gjimshiti, dhe që mban shiritin e skuadrës U20 të bergamaskëve. Ai dhe shokët e tij dolën fitues në finalen e Kupës së Italisë për këtë moshë, duke mundur vetë Juventusin e shquar, pas një sfide të vështirë e të ashpër.
Ishte edhe një duel mes shqiptarësh pasi me fanelën bardhezi është sulmuesi i dalluar, Arman Durmishi, edhe ai pjesë e kombëtareve kuqezi të moshave.
Juventusi kaloi shpejt në epërsi, që në 28’ kur shënoi Rico, dhe pati epërsi gati deri në fund. Vetë Durmishi e pati ndonjë moment ndërsa “zebrat” iu afruan disa herë golit të dytë.
Nuk arritën ta shënonin dhe ligji i futbollit i ndëshkoi. Atalanta barazoi në minutën e pestë shtesë kur shënoi papritur Izoa, dhe finalja u vendos nga penalltitë.
Nga 11 metra larg, Ramaj me shokë ishin të pagabueshëm dhe bergamaskët 20-vjeçarë fituan 4-1 duke pronësuar edhe trofeun e rëndësishëm.
Ramaj është 20 vjeç dhe pritet të ketë të ardhme shumë të mirë në futbollin italian, ndërsa ka luajtur tri herë për Shqipërinë U17 dhe 10 herë për Shqipërinë U21.


