Shpejtësia e lartë mbi normat e lejuara e automjetit tip “Audi” ishte shkaku kryesor i aksidentit që la të vdekur 65-vjeçarin në Fier.
Shoferi 31-vjeçar Arenc Konstandini është arrestuar me akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor.
Burime nga komisariati i policisë së Fierit konfirmuan se, nga ekspertiza e makinës që drejtonte 31-vjeçari Arenc Konstandini, rezulton se mjeti po lëvizte me shpejtësi mbi 100 km në orë. Ekspertët po punojnë për të saktësuar shpejtësinë e automjetit, por nga të dhënat e para në vendngjarje, ku nuk u konstatuan gjurmë frenimi, dyshohet se shpejtësia e automjetit ka qenë e tepër e lartë.
Dinamika e aksidentit ka qenë e tillë që nuk i ka lejuar drejtuesit të Audi-t të frenonte dhe manovronte deri në çastin kur përplasi për vdekje biçiklistin.
Drejtuesi i makinës ka devijuar automjetin pas përplasjes, por duke qenë me shpejtësi të lartë ka humbur kontrollin dhe përfundoi në kanalin anësor të rrugës.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së mërkurës në aksin Fier-Seman rreth orës 17:10, në afërsi të fshatit Fermë Çlirim.
Viktima, Behar Xhemali, 65 vjeç, po lëvizte me biçikletë në drejtimin Fier-Fermë Çlirim kur u përplas nga automjeti i drejtuar nga Arenc Konstandini, i cili udhëtonte pas biçikletës.
Burimet e para nga vendngjarja thanë se biçiklisti tentoi të marrë kthesën për në rrugën e fshatit Fermë-Çlirim.
Megjithatë, ekspertët thanë se aksidenti mund të shmangej nëse makina do të ishte me shpejtësinë e lejuar për këtë aks rrugor, që është jo më shumë se 40 km në orë.
Segmenti Fier-Seman shënon statistika të rënda të aksidenteve rrugore për shkak të shkeljes së normave të shpejtësisë nga drejtuesit e automjeteve.
Duke qenë se kalon në zonë të banuar në gjithë gjatësinë e tij, shpejtësia e lejuar në këtë aks rrugor është e kufizuar deri në 40 km në orë.


