Diego Armando Maradona është i veçantë. Edhe sot tërheq vëmendjen me bëmat e tij dhe mënyrën se si sillet në stol. Jeta private e tij gjithmonë ka qenë e larmishme, ndërkohë që në fund të viteve ’80 bota ishte nën këmbët e tij.
Në vitin 1986 u shpall kampion bote me Argjentinë në Botërorin e Meksikës, ndërkohë që ishte një hero edhe për Napolin në Serie A. Atë periudhë, kur Diego ishte 27 vjeç, i kërkoi presidentit të Napolit t’i blinte një Ferrari Testarossa.
Corrado Ferlaino nuk mund t’i thoshte jo ylli argjentinas, që do të renditej krah Silvester Stalone dhe Michael Jackson që e kishin atë model makine të limituar. Maradona do ta paguante vetë makinën, duke luajtur disa miqësore.
Presidenti i Napolit e bleu makinën, madje shpenzoi 135 mijë euro që ajo të ishte e veçantë. Ferrari i Maradonës do të ishte i zi, jo i kuq sicc e kishin të tjerët. Rreth 600 mijë dollarë të shpenzuara dhe në fund argjentinasi do e refuzonte makinën.
Pse? Nuk kishte kasetofon. Ferlaino kujton atë që kishte ndodhur në një intervistë të dhënë për “Ole” në Argjentinë. “Hipëm të dy në makinë dhe Diego filloi të kontrollonte çdo pjesë të makinës, derisa më pyeti ‘Hej si është puna, ku është kasetofoni?’. Unë i thashë është një makinë garash dhe nuk ka kasetofon ose ajër të kondicionuar. Përgjigja e tij ishte ‘Epo atëherë le ta marrin mbrapsht dhe ta fusin në b***’”, tregon ish-presidenti i Napolit. /abcnews.al