Në studion e ABC-së së Mëngjesit, instrumentisti i njohur Iliard Shaba rrëfeu momentet dramatike të aksidentit të rëndë me motor, që pak muaj më parë gati sa nuk i kushtoi jetën dhe karrierën muzikore. Ai e cilësoi këtë periudhë si “jeta e dytë”, pas rikthimit të vështirë drejt skenës.
Shaba tregoi se një natë para aksidentit kishte festuar për orë të tëra me miqtë fitoren e Shqipërisë ndaj Serbisë. Të nesërmen, edhe pse i lodhur, kishte pesë evente në qytete të ndryshme dhe për të fituar kohë vendosi të nisej me motor. Eventin e parë në Gjirokastër e arriti, por në kthim, në zonën e Kavajës, ndërsa nxitonte për angazhimin tjetër, ndodhi përplasja e rëndë.
“Nuk mbaj mend asgjë nga momenti i aksidentit. Jam zgjuar në spital me fraktura të rënda në krah”, u shpreh ai. Më pas iu nënshtrua një operacioni të vështirë për rindërtimin e kockave. Me humor, artisti tha se tashmë është bërë “Ironman”, pasi mban hekura në trup.
Pas muajsh rikuperimi, Iliard Shaba është rikthyer fuqishëm në skenë, edhe pse ende nuk është në 100% të formës së tij. Ai pranoi se aksidenti i ka ndryshuar mënyrën si e sheh jetën, duke e bërë të reflektojë më shumë për familjen, njerëzit e dashur dhe vlerën e kohës. Artisti dha edhe një mesazh sensibilizues për të gjithë drejtuesit e mjeteve që të tregojnë kujdes në rrugë dhe të shmangin vuajtje të panevojshme për veten dhe familjarët.
Në pjesën artistike, Shaba zbuloi projektin e tij më të ri dhe të guximshëm: “Skënderbeu në Afro House”, ku motive të njohura shqiptare do të sillen në ritme moderne për t’iu afruar të rinjve. Ai foli edhe për eksperiencën në skenën e Sanremos krah Ana Oxa-s, të cilën synon ta sjellë shumë shpejt në Shqipëri për një recital madhështor në Pallatin e Kongreseve./abcnews.al


