Në lidhje direkte për ABC e Mëngjesit, nutricionistja Shkëlqime Sula foli për dy mungesa të heshtura që prekin shpesh gratë: vitaminën D dhe hekurin. Sipas saj, këto elemente janë kyç për energjinë, imunitetin, kockat dhe funksionimin normal të organizmit, ndërsa mungesa e tyre mund të sjellë pasoja serioze pa u kuptuar menjëherë.
Ajo theksoi se hekuri i ulët është një nga shkaqet më të zakonshme të lodhjes kronike, dobësisë dhe anemisë tek gratë. Shumë simptoma shpesh neglizhohen, ndërsa trupi jep sinjale të qarta se ka nevojë për ndërhyrje dhe kujdes më të madh.
Ndërkohë vitamina D mbetet një aleat i fortë për shëndetin e kockave dhe sistemin imunitar. Sula sqaroi se ajo nuk merret vetëm nga dielli, por edhe nga ushqimi i duhur dhe suplementet, kur rekomandohen nga mjeku.
Nutricionistja ndaloi edhe te rastet kur pesha nuk bie, pavarësisht dietës dhe aktivitetit fizik. Sipas saj, analizat e gjakut mund të japin një panoramë të qartë për gjendjen e organizmit, duke zbuluar probleme me tiroiden, insulinën, hormonet seksuale, nivelin e vitaminës D apo hekurit.
Një rol të rëndësishëm luan edhe kortizoli, hormoni i stresit, i cili ndikon në metabolizëm dhe depozitimin e yndyrës, sidomos në zonën abdominale. Në fund, Sula apeloi që analizat laboratorike të mos interpretohen të izoluara, por gjithmonë në konsultë me mjekun, pasi historia shëndetësore dhe mënyra e jetesës janë po aq të rëndësishme sa rezultatet në letër./abcnews.al


