Nevoja për të përcjellë me transparencë të plotë proceset gjyqësore që zhvillohen në Gjykatën e Posaçme në transmetime direkte në media, ka shtyrë disa të pandehur ti drejtohen gjykatës me një kërkesë të tillë.
Pas ish presidentit Ilir Meta, ku këtë të hënë në seancën e parë në themel për herë të parë u përcoll drejtpërdrejtë procesi penal në të gjitha televizionet, në Gjykatën e Posaçme depozitoi kërkesë të ngjashme edhe kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj i cili ndodhet në paraburgimin e Durrësit ashtu edhe ish zëvendës kryeministri Arben Ahmetaj, që ndodhet në arrati që prej korrikut të vitit 2023.
Rasti i Metës po përdoret kështu si precedent, për t’i hapur rrugë edhe të pandehurve të tjerë që të kërkojnë diçka të tillë. Veliaj nuk ishte i pranishëm në seancën e së hënës por kërkesa për transmetimin live të procesit u përsërit nga avokati I tij mbrojtës Plarent Ndreca së bashku me kërkesën për të qëndruar jashtë kafazit të qelqtë.
Me vazhdimin e gjykimit të zakonshëm për Veliajn mbrojtja e tij do të përsërisë para trupit të ri gjykues kërkesën e rrëzuar këtë të hënë nga gjyqtarja Ëngjëllushe Tahiri. Prokuroret argumentuan se seancat live, do te ishin intimiduese për dëshmitarët.
Ndërkohë në procesin “Buka” Sha avokati i Ahmetajt iu drejtua gjykatës për herë të parë me kërkesën për të transmetuar live procesin gjyqësor, kërkesë që gjithashtu u rrëzua nga gjyqtarja Irena Gjoka. Gjyqtarja argumentoi se seancat regjistrohen dhe si të tilla mund të merren dhe ti shpërndahen mediave pa patur nevojën e kamerave në sallë.
Në rastin e procesit gjyqësor të privatizimit të ish klubit sportive Partizani, gjykata pranoi vetëm kërkesën për marrjen e pamjeve filmike, duke refuzuar kërkesën e Jamarbër Malltezit për të transmetuar live të gjithë seancën.
Mbetet për t’u parë çfarë do te ndodhe me seancën ku pritet të dëshmojë edhe Edi Rama, me cilësinë e ish kryebashkiakut. Sali Berisha ka kërkuar publikisht përballje televizive, por vendimet e të hënës i japin atij pak shpresë për një debat ne ekrane, qe sa kohe ai ishte kryeministër ja refuzoi Edi Rames.


