Një atentat ka ndodhur në Lezhë, ku kanë mbetur viktimë Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij, Gentiana Mujeci 32 vjeç. Sipas informacioneve paraprake, çifti po udhëtonte me automjetin e tyre tip “Audi Q7” në momentin kur është qëlluar me breshëri plumbash nga persona ende të paidentifikuar.
Burime për ABC News bëjnë me dije se Mujeci dyshohet si autor i vrasjes së shtetasit Genc Mhillaj, ngjarje e ndodhur më 6 tetor 2016 në fshatin Mali i Jushit, në Shkodër.
Për këtë arsye, pista kryesore e hetimeve lidhet me gjakmarrjen. Automjeti i çiftit është gjetur i shoshë nga plumbat, ndërsa dyshohet se autorët kanë organizuar një pritë.
Çifti kishte katër fëmijë, ndërsa Kreshnik Mujeci njihej në zonë si një person aktiv në jetën komunitare.
Ai organizonte çdo vit festën e Shën Markut në fshatin Koljakaj, një aktivitet që synonte bashkimin e banorëve dhe promovimin e harmonisë ndërfetare.
Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
/abcnews.al/


