Belshi është kthyer në një nga pikat e rëndësishme të takimit të artistëve dhe promovimit turistik në vend, duke mirëpritur edicionin e pestë të Kolonisë së Piktorëve.
Ky aktivitet, që tashmë po konsolidohet si traditë, ka sjellë në zonën e Dumresë rreth 20 piktorë nga e gjithë Shqipëria, të cilët për disa ditë kanë punuar në natyrë, duke u frymëzuar nga peizazhet karakteristike të zonës.
Mes liqeneve të shumta dhe qetësisë që ofron Dumreja, artistët kanë hedhur në telajo pamje të ndryshme të peizazhit, duke ndërthurur reflektimet ujore me ngjyrat e gjalla të pranverës që dominojnë këtë periudhë.
Qëllimi i kësaj kolonie artistike është promovimi i vlerave turistike të Belshit përmes artit pamor, duke e kthyer pikturën në një mjet komunikimi mes artistëve dhe vizitorëve.
Vetë pjesëmarrësit e kanë vlerësuar këtë edicion si një nga më frymëzuesit, duke theksuar se natyra e zonës ofron një burim të pasur inspirimi.
Me zhvillimet e viteve të fundit, Belshi po forcon gjithnjë e më shumë profilin e tij si destinacion turistik. Përveç bukurive natyrore, tashmë edhe arti po merr një rol të rëndësishëm në promovimin e zonës dhe në tërheqjen e vizitorëve nga e gjithë vendi.


