Ambasada Amerikane në Tiranë ka zhvilluar një takim të veçantë me përfaqësues të rëndësishëm të aleancës euroatlantike, duke theksuar bashkëpunimin e ngushtë mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Në një njoftim zyrtar, ambasada bëri të ditur se mirëpriti Ambasadorin e SHBA-së në NATO, Matthew Whitaker, i cili u njoh nga afër me marinsat dhe stafin amerikan e shqiptar që kanë kontribuar në misionet e NATO-s në Afganistan dhe Irak. Ky takim vë në pah vlerësimin për partneritetin e qëndrueshëm mes dy vendeve, në funksion të mbrojtjes së vlerave të përbashkëta dhe sigurisë ndërkombëtare.
“Patëm kënaqësinë të mirëprisnim në ambasadën tonë Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në NATO, Matthew Whitaker, dhe ta prezantonim atë me Marinsat tanë dhe punonjësit amerikanë dhe shqiptarë që kanë shërbyer në operacionet e NATO-s në Afganistan dhe Irak. Ne e vlerësojmë partneritetin mes vendeve tona në mbrojtje të vlerave tona të përbashkëta”, njofton Ambasada.


