Sondazh

Protesta e Berishës, si u soll policia?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

OKB: Mbi 840 mijë vdekje në vit nga stresi në punë, rreziqet psikosociale në qendër të vëmendjes

schedule19:08 - 23 Prill, 2026

schedule 19:08 - 23 Prill, 2026

Më shumë se 840,000 njerëz humbasin jetën çdo vit në mbarë botën si pasojë e rreziqeve psikosociale në vendin e punës, sipas një raporti të publikuar nga Organizata Ndërkombëtare e Punës, (ILO), një agjenci e Kombeve të Bashkuara.

Raporti thekson se faktorë si orët e gjata të punës, pasiguria në punë ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin fizik dhe mendor të punëtorëve, duke u lidhur kryesisht me sëmundjet kardiovaskulare dhe çrregullimet mendore, përfshirë vetëvrasjen. Puna, sipas ILO-s, nuk ndikon vetëm në sigurinë ekonomike, por edhe në identitetin dhe marrëdhëniet shoqërore, ndërsa mënyra e organizimit të saj është vendimtare për shëndetin.

Shefja e Politikave për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë në ILO, Manal Azzi, e cilësoi këtë fenomen si një nga sfidat më të mëdha të kohës moderne, duke theksuar se përmirësimi i kushteve të punës është thelbësor për mirëqenien dhe produktivitetin. Sipas të dhënave, këto rreziqe përkthehen në rreth 45 milionë vite jete të humbura të rregulluara për aftësinë e kufizuar (DALY) çdo vit, ndërsa kostoja ekonomike globale arrin në 1.37% të Prodhimit të Brendshëm Bruto.



Në Evropë, regjistrohen mbi 112,000 vdekje çdo vit dhe humbje ekonomike prej 1.43% të PBB-së. Ndërsa sëmundjet kardiovaskulare përbëjnë pjesën më të madhe të vdekjeve, çrregullimet mendore janë shkaktari kryesor i humbjes së viteve të jetës së shëndetshme.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) vlerëson se depresioni dhe ankthi shkaktojnë rreth 12 miliardë ditë pune të humbura çdo vit.

Efektet më të zakonshme përfshijnë depresionin, ankthin, lodhjen kronike, çrregullimet e gjumit dhe rraskapitjen fizike. Në shumë raste, këto probleme lidhen edhe me sëmundje fizike për shkak të sjelljeve të pashëndetshme si pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit dhe mungesa e aktivitetit fizik.

Raporti evidenton gjithashtu se rreth 35% e punëtorëve në botë punojnë më shumë se 48 orë në javë, ndërsa puna mbi 55 orë rrit ndjeshëm rrezikun për goditje në tru dhe sëmundje të zemrës. ILO paralajmëron se transformimi dixhital, puna në distancë dhe inteligjenca artificiale po ndryshojnë shpejt mjedisin e punës, duke e bërë të domosdoshëm ndërmarrjen e masave parandaluese.

Organizata rekomandon organizim më të mirë të punës, qartësi në role, menaxhim të ngarkesës dhe mbështetje të drejtë dhe pa stigma për punëtorët.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!