Merkato e Superiores ka nisur të nxehet. Dorian Kërçiku, i cili një ditë më parë konfirmoi largimin nga Tirana, mund të bëhet pjesë e Partizanit. Të paktën kështu raporton e përditshmja “Panorama Sport”.
Një lëvizje e tillë nuk do t’u pëlqente tifozëve të Tiranës. Partizani ka nevojë për një mbrojtës të djathtë dhe mbetet të shihet nëse do të jetë Kërçiku ai që do të zgjidhë problemin e të kuqve.
Një tjetër lojtar në merkato është edhe Dejvi Bregu. Skënderbeu kërkon ta shesë sulmuesi anësor dhe sipas asaj që raporton gazeta e përmendur më lart, për të ka një ofertë që kap shifrën e 200 mijë eurove.
Zilina në Sllovaki interesohet për vlonjatin, por oferta e mësipërme nuk e kënaq presidentin Ardjan Takaj. Pakënaqësi ka edhe në Shkodër sa i takon parave. Këshilli Bashkiak do të mblidhet sot dhe pritet të miratohet buxheti për klubin.
Vetëm 440 milionë lekë për klubin shkodran, që do të duhet të përballojë me vështirësi vitin 2020. Ulje drastike e fondit për klubin, që ndër të tjera ka edhe borxhe të mëdha ndaj Tatimeve. / abcnews.al