TIRANË- Gazetari Flogert Muça, i ftuar në emisionin “Real Story”, tha se takimi i kryeministrit Edi Rama me homologun grek Kyriakos Mitsotakis është bërë për konsum të brendshëm politik.
Sipas Muçës, mënyra e paraqitjes së Ramës dhe vetëbesimi i tij, përbëjnë një sinjal që lidhet jo vetëm me biseda paraprake dhe pika të dakordësuara mes palëve, por edhe me konsumin e brendshëm politik të të dy kryeministrave.
Ai theksoi se kryeministri grek mund ta “përdorë” takimin për të dërguar mesazhin se po diskuton drejtpërdrejt me homologun shqiptar për çështje që shqetësojnë opinionin publik në Greqi, si minoriteti dhe pronat e grekëve në Shqipëri.
“Vajtja e Ramës ashtu me atë lloj vetëbesimi dhe atë lloj tentative për dominim duke shkelur protokollin, që ai e di shumë mirë se si është, për mua është një mesazh, i cili besoj se ka të bëjë jo vetëm me një bisedë paraprake që kanë bërë dhe me ca piketa që kanë vendosur me njëra-tjetrën, por ka të bëjë dhe me konsumin e brendshëm të të dy palëve.
Kryeministri grek ka konsumin e brendshëm që do ta shpërndajë mesazhin se po flas sy më sy me kryeministrin për problemet që mund të kenë dhe që ankohen grekët në Shqipëri, për minoritetin, për pronat etj. Ai e përdor për konsum të brendshëm këtë gjë.
Çdo gjë është vetëm në kuadër të komunikimit politik, të tjerat, të ishin për t’u zgjidhur do t’i kishin zgjidhur. Këta burra kanë hallet në vendet respektive, që nuk duan fare të flitet për to. Çfarë bëjnë këta? Mblidhen atje, deti, minoriteti, pronat, i qajnë hallin, gëzon kolegu përballë. Këto janë instrumente PR-i. Mjeshtërisht kanë ndërtuar një agjendë publike, që të flitet për ata.”, tha ai.


