Zbulohet një ambient i marrë me qira, ku shërbente për të fshehur lëndën narkotike dhe për përgatitje për shitje. Policia arreston dy persona dhe shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre.
U sekuestrua lëndë narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa, qese farmaceutike për paketimin e tyre, 5 peshore elektronike, 1 armë e ftohtë, 1 motomjet që përdorej për këtë veprimtari kriminale dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar prej saj.
“Si rezultat i operacionit u arrestuan shtetasit N. F., 18 vjeç dhe K. Z., 20 vjeç, të dy banues në Shkodër. Ata u kapën në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në lagjen “Manush Alimani”, me doza të lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe Cannabis Sativa, të cilat i posedonin me qëllim shitjen, kryesisht tek moshat e reja. Gjithashtu, u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi L. A., 23 vjeç, banues në Shkodër”, njofton policia.
Vijon puna për kapjen e shtetasit në kërkim dhe për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet procedurale iu kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme hetimore.


