Kjo sipërfaqe toke prej 6 mijë m katrore në zonën e njohur si “Liqeni i Thatë” në kryeqytet është kthyer në mollë sherri për kushërinjtë Avdyl dhe Sulejman Peti. Abdyl Peti, që njihet si pronar i tokës me vërtetim hipotekor, thotë se kushëriri i tij Sulejmani ka tjetërsuar pronën duke ia dhënë me qira shtetasit Xhemal Shima.
“Në vitin 2020 e kam dhënë me qira një djali të quajtur Edmir Shima. Me 2 mars 2026 kontrata ka mbaru. Para se të mbaroj kontrata bëra një kontratë praprake mirënjohëse ku kërkova kthim të pronës. Këto zotërit e bënë pronë të vetën, gjyshi i këtij djalit (referohet Xhemal Shimës) bëri kontratë të pisët me kushëririn tim Sulejam Petim. Kushëriri im, mbas 35 vitesh vjen e bën një veprim të shëmtuar ku bën kontratë në tokën me emrin kallmi, por me numër pasurie të pronës time nr.780 me emrin e pronës Zoja e Halilit”, tha Avdyl Peti.
Pala pretenduese thotë se paligjshmëria qëndron që në aktin noterial, pasi sipas tyre flitet për hapësirë toke të njëjtë, por në zona të ndryshme kadastrale. Një paligjshmëri që sipas tyre, pasohet nga një tjetër paligjshmëri me vendim gjykate.
“Ka një vendim gjykate të shkallës parë Tiranë të mbajtur nga gjyqtari Aurel Arapi, i cili me një vendim të marrë në zyrën e tij, pa palët, me të cilin ka vendosur që dikush pa asnjë dokument pronësie për pronën këtu, pretendon se është e tij dhe e ka dhënë me qira, duke bërë kontratë”, tha avokati Zaçe Islame.
“Prona që është dhënë me qira i përket zonës së Kallmit, e cila ka emrin e saj të pasurisë. Prona që është krejt në kundërshtim të ligjit sot është prona e zonës së quajtur zonja Halili”, tha Ilir Uka.
“Me 24 mars Dariel Kurti nga dhoma e noterisë, paraqit qiradhënësi Sulejman peti, ky nuk ka asnjë dokument pronësie për t’a lëshuar me qira”, shtoi Zaçe Islame.
Përmbaruesi Baftjar Nela, me anë të vendimit të gjykatës së shkallës së parë u paraqit pranë subjektit për të ekzekutuar vendimin e gjykatës, e cila solli edhe përplasje mes palëve dhe efektivëve të policisë, pasi pronarët pretendojnë se po u merret prona me pa të drejtë.
Rezistenca e pronarëve për të mos lejuar përdorimin e tokës së tyre, solli edhe të shoqëruar në komisariat.
Konflikti për pronën mes kushërinjve ka nisur prej muajit Mars të këtij viti. Në 5-vjeçarin e fundit Avdyl Peti, tokën e ka pas lëshuar me qira, Edmir Shimës, i cili e ka shfrytëzuar për parkim. Pas përfundimit të kontratës, pronari ka kërkuar ndërprerje të marrëveshjes, dhe kthim të pronës. Pronarët kërkojnë shfrytëzim të pronës, ndërsa sytë i kanë drejt organeve të drejtësisë.
“Kërkojmë drejtësi, deri në pikën e fundit. Kush të ketë të drejtë ta mbaj”, u shpreh Avdyl Peti.


