Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me operatorë të biznesit ushqimor, ku theksoi rëndësinë e procesit të anëtarësimit në Bashkimin Europian si një sfidë kyçe për garantimin e sigurisë ushqimore në vend.
Rama nënvizoi se ky proces nuk lidhet thjesht me përmbushjen e detyrimeve ndaj të tjerëve, por me përfitimin e një “bagazhi të pazëvendësueshëm dijeje” që ndihmon Shqipërinë të ndërtojë standarde europiane në shërbim të shëndetit dhe mirëqenies së qytetarëve. Ai e cilësoi sigurinë ushqimore si një nga sfidat më komplekse të integrimit, duke theksuar se standardet e BE-së nuk janë pengesë, por mundësi për zhvillim dhe prosperitet.
“Ky proces lidhet me sfidën më komplekse të të gjitha proceseve të anëtarësimit, që është sfida ushqimore. Këtu del në pah rëndësia madhore që ka për ne, procesi i anëtarësimit në BE, të cilin shumëkush e ngatërron me një proces që lidhet me detyra që i plotësojmë për hir të të tjerëve, në fakt ky proces lidhet me një bagazh të pazëvendësueshëm dijeje, që ne duhet ta importojmë nga BE në Shqipëri, për të ndërtuar shtetin europian të shqiptarëve.
Për të ndërtuar standarde europiane, që këtu tek ne janë në shërbim të shëndetit të çdo familjeje shqiptare. Pa BE dhe gjithë këtë bagazh dijeje që vjen në këtë proces, ne do ta kishim të pamundur, që të arrinim ato standarde sigurie dhe garanci për zhvillim dhe prosperitet të vendit tonë.
Kur flasim për siguri ushqimore, flasim për një vend që nuk kemi se si ta negociojmë dhe ta realizojmë, nëse nuk zotërojmë dijet për të ngritur gjithë atë grehinë politikëbërëse. Prandaj standardet europiane, të cilat janë sfida për t’u fituar, janë maja të vështira për t’u arritur, në fund të ditës nuk janë zinxhirë në këmbët tona, por janë krahë që na mundësojnë të ngjitemi më lartë”, tha kryeministri Rama.


